Nga mjekët, farmacistët dhe arkitektët, deri tek audituesit, ekspertët kontabël, agjentët doganorë dhe profesionistët e sektorëve të tjerë, qeveria ka identifikuar 337 profesione të rregulluara që do t’i nënshtrohen një procesi rishikimi në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.

Plani Kombëtar, i miratuar në kuadër të këtij procesi, përfshin 337 profesione të mbikëqyrura nga 33 institucione, mes tyre ministri, urdhra profesionalë, dhoma profesionale dhe autoritete rregullatore.

Monitor publikon listën e plotë të 337 profesioneve të përfshira në Planin Kombëtar.

Për secilin autoritet përgjegjës, dokumenti evidenton profesionet e konfirmuara si të rregulluara, profesionet që kërkojnë verifikim të mëtejshëm, si dhe kriteret për hyrjen dhe ushtrimin e profesionit. Kjo ndarje do të shërbejë si bazë për zbatimin e masave të parashikuara në Planin Kombëtar, me synimin për të rritur transparencën dhe për të vlerësuar nëse kërkesat për ushtrimin e profesioneve janë të nevojshme dhe proporcionale.

Dokumenti synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, duke propozuar thjeshtimin e procedurave të licencimit dhe uljen e barrierave që kufizojnë hyrjen në profesion.

Sipas analizës së dokumentit, procedurat e gjata të licencimit, kërkesat ligjore dhe kufizimet administrative kanë ndikuar në mungesën e profesionistëve në sektorë strategjikë, kanë vonuar hyrjen e të rinjve në tregun e punës dhe kanë kufizuar konkurrencën. Reforma synon ta bëjë sistemin më transparent, më efikas dhe më të harmonizuar me tregun evropian të punës. Monitor.al