Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në eventin “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, adresoi në mënyrë indirekte protestat masive kundër qeverisë së tij.
Ai tha se shifrat në ekonomi janë pozitive, por sipas tij, sa më shumë të thuash se ekonomia është rritur, aq më shumë “do të prodhosh tension e acarim dhe do të përballesh me të kundërtën e efektit”.
Rama theksoi se shoqëria e sheh progresin, por sipas tij, ajo tani kërkon më shumë.
“Kjo nuk është një shenjë e një shoqërie që nuk e kupton progresin apo nuk e sheh progresin por është një shenjë e një shoqërie që do shumë më tepër progres dhe shumë më shpejt dhe nuk do t’ia dijë se nga vjen. Koha dhe brezat që e vlerësonin shumë rrugën për të nxjerrë konkluzione për pozicionin dhe për të projektuar vazhdimin e rrugës ka ndryshuar totalisht”, u shpreh ai.
Më tej, Rama tha se tani raporti i besimit mes qytetarëve dhe institucioneve krijohet nga pritshmëritë dhe jo nga arritjet që mund të jenë bërë.
“Jemi në një fazë të re të zhvillimit ku tanimë raportin e besimit me institucionet, me shoqërinë, me vendin e krijojnë pritshmëritë dhe jo arritjet. Arritjet janë diçka tjetër, janë të rëndësishme por të pamjaftueshme sepse pritshmëritë diktojnë të përditshmen e njerëzve”, shtoi ai.
Pjesë nga fjala e tij:
Shifrat janë të gjitha shumë pozitive. Por shifrat në këtë kohë dhe në këtë fazë të zhvillimi tonë kanë një problem të madh. Sa më pozitive të jenë aq më shumë i acarojnë njerëzit. Sa herë të përsërisësh se ekonomia është rritur në mënyrë të qëndrueshme mesatarisht 4 për qind, do të prodhosh tension e acarim sa herë do të thuash se bizneset janë shtuar, do të përballesh vetëm me të kundërtën e efektit që bën lajmi i mirë. Unë për veten time kam krijuar bindjen se kjo është një shenjë shumë domethënëse e një faze të re të zhvillimit ku kemi hyrë.
Kjo nuk është një shenjë e një shoqërie që nuk e kupton progresin apo nuk e sheh progresin por është një shenjë e një shoqërie që do shumë më tepër progres dhe shumë më shpejt dhe nuk do t’ia dijë se nga vjen. Koha dhe brezat që e vlerësonin shumë rrugën për të nxjerrë konkluzione për pozicionin dhe për të projektuar vazhdimin e rrugës ka ndryshuar totalisht. Sepse gjithmonë e më pak njerëzve iu intereson se ku kemi qenë, se çfarë ka pasur rruga vështirësi dhe si kemi ardhur nga këtu e këtu. Madje madje për të mos thënë se gjithmonë e më shumë referimi te rruga e bërë i acaron sepse suksesi i të tjerëve është një arsye për të kërkuar suksesin edhe për vete dhe çdo lloj dallimi me të tjerët është një arsye për t’iu acaruar kur rruga thotë se duhet bërë durim.
Për këtë arsye ky program është shumë i rëndësishëm edhe në aspektin psikologjik për sipërmarrjen. Njerëzit meritojnë të kenë mundësi të reja për të sprovuar mundësi të reja dhe bërë sukses më shumë dhe më shpejt. Natyrisht se këto mundësi të reja nuk kanë asnjë arsye pse t’i kërkojnë nga qeveria, kështu që jemi në një fazë të re të zhvillimit ku tanimë raportin e besimit me institucionet, me shoqërinë, me vendin e krijojnë pritshmëritë dhe jo arritjet. Arritjet janë diçka tjetër, janë të rëndësishme por të pamjaftueshme sepse pritshmëritë diktojnë të përditshmen e njerëzve dhe kujtdo dhe natyrisht se ne nuk kemi mundësinë që t’i adresojmë pritshmëritë në ajër, por në terrenin e punës dhe e përpjekjeve për tu rritur përmes punës, pritshmëritë në terrenin e sipërmarrjes, që është motori i padiskutueshëm i zhvillimit ekonomik të një vendi demokratik dhe që nuk mund të zëvendësojnë me formula halucinante, ne kemi detyrë t’i adresojmë me më shumë instrumente. Ky është një instrument i drejtpërdrejtë për t’i adresuar pritshmëritë.





