Shtetet e Bashkuara akuzuan Kubën për zhvillimin e një fushate spiunazhi dhe përmbysjeje prej dekadash, duke pretenduar se Havana ka infiltruar nivelet më të larta të qeverisë amerikane.

Në një deklaratë, Departamenti Amerikan i Shtetit tha se regjimi kubanez ka zhvilluar për afro shtatë dekada një fushatë të vazhdueshme kundër SHBA-së, e cila, sipas tij, ka përfshirë infiltrimin në institucionet amerikane, rekrutimin e aktivistëve, mbështetjen e terrorizmit të krahut të majtë dhe operacione të gjera të inteligjencës.

Sipas deklaratës, Kuba ka ndërtuar një model të luftës së fshehtë të bazuar në spiunazh, infiltrime, sabotim dhe rrjete të ndërmjetësuara, me synimin për të dobësuar Shtetet e Bashkuara nga brenda.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, reagoi në platformën X, duke deklaruar se raporti “ekspozon historinë e plotë të spiunazhit dhe përmbysjes kubaneze në vendin tonë”.

Autoritetet kubaneze nuk kanë reaguar ende ndaj akuzave të ngritura nga Uashingtoni.