Pasditen e së hënës, data 20 korrik, shtetasi Feta Mataj, bashkëshort i ish-drejtoreshës së filialit të Postës Shqiptare në Durrës është paraqitur pranë oficeres së Policisë Gjyqësore E.H. për të bërë një denoncim lidhur me ato, që Mataj i konsideron veprime të paligjshme nga ana e ish-shefes së financës së postës, shtetases Valbona Duni.
Në deklaratën e tij, të cilën “DurrësLajm” e disponon Feta Metaj bën të ditur ka kryer disa verifikime personale në drejtim të shtetases Duni.
Ndërsa pretendon pafajësinë e bashkëshortes së tij e cila akuzohet së bashku me ish-shefen e financës Duni dhe arkëtaren P. Dana për vjedhjen e 69 milionë lekëve, fonde këto të pensioneve dhe ndihmës ekonomike, Mataj në dëshminë e tij, referuar bisedave që ai ka pasur me bashkëshorten Elisabeta, akuzon shtetasen Duni për veprime “në shkelje të ligjit dhe postës duke i tërhequr lekët vetë dhe duke kryer veprimtari të dyshimta brenda institucionit”.
Sipas Feta Matajt, bashkëshortja e tij ka pasur një sërë korrespondencash me eprorët e saj në Tiranë, por nuk janë marrë masa.
Po ashtu, në dëshminë e tij, bashkëshorti i ish-drejtoreshës së postës rendit verifikimet që ka bërë për pasuritë e ish-shefes së financës dhe fëmijëve të saj në drejtim të shtëpive, makinave prodhim i viteve të fundit dhe udhëtimeve të kushtueshme të tyre.
Në dëshmi, shtetasi Feta Mataj shkon më tej duke pretenduar se shpërdorimi i detyrës nga ana e shefes së financës nis që nga viti 2020, vit kur fondet e tërmetit nisën të kalonin përmes Postës Shqiptare.
Sipas Matajt, pikërisht në këtë periudhë shtetasja Duni ka pasur “një rritje të konsiderueshme ekonomike.dhe për të justifikuar këto të ardhura ka hapur këto biznese (të fëmijëve), ku pret fatura fiktive”, ndërsa disponon disa apartamente të blera në Durrës vitet e fundit.
Në përfundim të dëshmisë së tij, Mataj shprehet se ai dyshon se shtetasja Duni ka konsumuar veprën penale të “Pastrimit të parave”.
Prandaj ai kërkon nga “ana juaj dhe organit të prokurorisë të kryhen hetime të thelluara për këtë shtetase dhe për familjarët e saj”.
Në komunikimin që “DurrësLajm” ka pasur me shtetasin Feta Mataj na është bërë e ditur se ai ka vënë në dispozicion të oficeres së Policisë Gjyqësore edhe dokumente të Kadastrës dhe Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor të cilat vërtetojnë sias tij pronësinë e shtetases Valbona Duni dhe fëmijëve të saj mbi këto apartamente dhe banesa.
M.B.





