Pas 10 ditësh, banorët e kompleksit “Jedas” në Durrës janë rikthyer protestës para bashkisë së qytetit mëngjesin e sotëm.

Ato kërkojnë sqarim lidhur me procedurat që po ndiqen për fazën e rindërtimit të pallatit ku para tërmetit të 26 nëntorit banonin 280 familje në lagjen nr.17.

Orgeta Sinollari, përfaqësuese e familjarëve që prej më shumë se 6 muajsh kanë braktisur banesat e tyre, thotë se krahas mungesës së informacionit për fatin e pallatit, banorët nuk kanë informacion as për ndërprerjen e bonusit të qirasë.

Nga ana tjetër, kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako ka pritur në një takim një grup banorësh dhe i ka sqaruar lidhur me problemin e tyre për të cilin kanë protestuar herë pas here.

“Informacioni i vlefshëm që ne morëm është që tashmë do kalojmë në hapat e përgatitjes së projektit për kryerjen e analizave të thelluara që më pas do t’i kalohet qeverisë për financim. Ajo që kryetarja na konfirmoi është që ne privatisht, nëpërmjet firmës së ndërtitmit, duke qenë se është ende në treg, mund të përgatisim një projekt-raport dhe të kalojë për oponencë pranë Institutit të Ndërtimit. Për ne është gjë pozitive”, thotë Sinollari para mediave.

Kompleksi “Jedas” është dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit në 5 katet e para të tij.

Në raportin e ekspertizës së thelluar që disponojnë banorët, sugjerohet që pallati mund të riparohet, pasi ka dëmtime të lehta në strukturë dhe dëmtime të rënda në muraturë.

Sugjerim i cili, ngriti në protestë banorët më 26 maj, të cilët kërkonin siguri për jetën dhe një vendim zyrtar lidhur me pallatin shumëkatësh.

G.D.