Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, nxorri videon e Taulant Ballës nga komisioni, duke manipuluar publikisht të vërtetën lidhur me projektin e aeroportit të Vlorës, me pretendimin se qeveria Berisha e kishte miratuar atë në zonën e mbrojtur të Akërni/Nartës.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Zhupa deklaroi se qeveria Berisha e kishte parashikuar aeroportin me Vendimin e KKRT nr. 1, datë 26.02.2009, në zonën e Levanit, pranë aksit Fier–Vlorë, dhe jo në Akërni/Nartë ku po ndërtohet aktualisht. Ajo theksoi se qeveria Rama e zhvendosi projektin brenda Peizazhit të Mbrojtur Vjosë–Nartë, duke e futur atë në konflikt me Konventën e Bernës dhe me shqetësimet e shprehura nga Parlamenti Europian për mbrojtjen e biodiversitetit dhe respektimin e standardeve mjedisore europiane.

Reagimi i plotë i Ina Zhupës:

Taulant Balla gënjeu përsëri për aeroportin e Vlorës. Qeveria Berisha nuk ka miratuar planin e aeroportit të Vlorës në zonë të mbrojtur në Akërni/Nartë por në zonën e Levanit.

Ja thashë në sy, por ai e preu videon në 26 sekonda për facebookun e tij, që të dëgjohej vetëm gënjeshtra e tij dhe ta shpërndante si “lajmin e vitit” që Berisha ja u paska lënë aeroportin e Vlorës aty dhe skemi arsye pse e kundërshtojmë ne…

E vërteta është shumë e thjeshtë: qeveria Berisha e kishte parashikuar aeroportin e Vlorës me Vendimin e KKRT nr. 1, datë 26.02.2009, “Për miratimin e Planit Kombëtar Sektorial të Transportit Ajror”, por jo në Akërni/Nartë ku po ndërtohet sot.

Vendndodhja e parashikuar ishte zona e Levanit, në afërsi të aksit Fier–Vlorë. Pra, qeveria Berisha e kishte planifikuar aeroportin jashtë zonës së mbrojtur, ndërsa qeveria Rama e zhvendosi projektin në Akërni/Nartë, brenda Peizazhit të Mbrojtur Vjosë–Nartë.

Konventa e Bernës ka kërkuar në mënyrë të përsëritur pezullimin e projektit të aeroportit të Vlorës, për shkak të rrezikut serioz ndaj biodiversitetit dhe habitateve të mbrojtura të lagunës së Nartës.

Po ashtu, Parlamenti Europian, në rezolutat e tij për Shqipërinë, ka shprehur shqetësim të thellë për ndërtimin e aeroportit në zonën e mbrojtur Vjosë–Nartë dhe ka kërkuar respektimin e legjislacionit mjedisor dhe standardeve europiane.

Taulant Balla nuk mund të fshehë të vërtetën duke kërkuar fajin te Saliu!

Faktet janë publike: Berisha e parashikoi aeroportin në Levan, Rama e zhvendosi në Nartë, duke hyrë në konflikt me Konventën e Bernës dhe me vetë Parlamentin Europian.

Rama nuk fshihet dot më! Ju erdhi fundi.