Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka kritikuar masat e rrepta që ka ndërmarrë Policia e Shtetit, duke zgjeruar perimetrin e sigurisë dhe bllokuar totalisht rrugën para parlamentit ku po mbahet protesta.

Policia ka vendosur gardhe metalike në pothuajse të gjitha hyrjet që të çojnë drejt Parlamentit.

Në një reagim në rrjete sociale, Bardhi e cilëson këtë si një akt të turpshëm dhe të papranueshëm, ndërsa shton se askujt nuk i rrezikohet jeta nga qytetarët që kanë dalë të protestojnë.

Sipas tij, Policia e Shtetit ka arritur deri aty sa pengon lëvizjen e lirë dhe raportimin e punonjësve të medias, gjë që, siç shton ai, përbën kufizim lirie.

“Duhet menjëherë të hiqet dorë nga një sjellje e tillë e papranueshme dhe të lejohen qytetarët të protestojnë qetësisht dhe ku ato të dëshirojnë. Kufizimi i lirisë së tubimit nuk mund të jetë një akt i pranueshëm në një vend kandidat për në BE.”, shprehet ai.

Reagimi i Bardhit:

Rrethimi i Kuvendit në një perimetër të zgjeruar dhe prania e paprecedent e një numri të madh të punonjësve të Policisë së Shtetit në godinën e Kuvendit, është një akt i shëmtuar dhe i papranueshëm. Askujt nuk i rrezikohet jeta nga qytetarët që protestojnë.
Policia e Shtetit ka arritur deri aty sa pengon lëvizjen e lirë dhe raportimin e pashqetësuar të punonjësve të medias, cka përbën një kufizim të papranueshëm të lirisë së medias.
Duhet menjëherë të hiqet dorë nga një sjellje e tillë e papranueshme dhe të lejohen qytetarët të protestojnë qetësisht dhe ku ato të dëshirojnë. Kufizimi i lirisë së tubimit nuk mund të jetë një akt i pranueshëm në një vend kandidat për në BE.