Grupi Parlamentar i PS-së Taulant Balla u shpreh kundër kërkesës për zgjatjen e mandatit me 3 muaj të Komisionit për Reformën Territoriale.

Balla deklaroi gjatë fjalës së tij në Kuvend se Komisioni e ka kryer detyrën e vet dhe se procesi nuk mund të kthehet mbrapsht. Bëri gjithashtu ironi me demokratët, teksa tha se “treni i orës 7 pa 5 ka ikur, e keni humbur”.

“Kërkesa e parashtruar i ngjan kërkesës së një udhëtari që ka humbur trenin një javë më parë dhe do të ikë me trenin që ka humbur. Ky proces nuk mund të kthehet mbrapsht sepse ky diskutim mund të ishte bërë një javë më parë ku për ironi ky kuvend u gjend në situatë të ngjashme. Për zgjedhoren kishim kërkesë nga të dy bashkëkryetarët. Sot nuk kemi kërkesë nga dy bashkëkryetarët.

Megjithatë, unë besoj që të gjithë e dimë fare mirë, sot ne jemi përgatitur për të dëgjuar gjetjet. Gjithë Shqipëria e di që sot Kuvendi do të dëgjojë gjetjet nga grupet e PS dhe PD. Kjo nuk do të thotë që sot do të miratohet reforma e re.

Më pas, gjithë palët dhe çdo deputet nëse do, mund të vijë me propozimet e veta. Ky komision nuk mund të zgjatet më, e ka përfunduar mandatin e vet. Mos të mungonit më datë 16, të kishit ardhur. Nuk kemi një arsye sot pse keni humbur. Treni i orës 7 pa 5 ka ikur, e keni humbur”, tha Balla.