Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat kundër ndryshimeve ligjore, duke akuzuar disa prej pjesëmarrësve dhe eurodeputetëve për qëndrime politike. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama deklaroi se në protesta ka persona me “agjenda politike”, ndërsa pretendoi se disa eurodeputetë kanë kritikuar ndryshimet pa e lexuar ligjin.

Sipas Ramës, ndryshimet janë bërë në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian dhe do t’i nënshtrohen një shqyrtimi të detajuar

“Ndryshimet e vitit 2024 le ta mbajë shënim kush e dëgjon, në atë ligj u përdorën pa pushim dhe vazhdojnë si benzinë për zjarrin e protestës nga individë me axhendat e tyre politike, përfshirë edhe disa eurodeputetë që në rastin më të mirë nuk e kanë lexuar çfarë kemi ndryshuar, ndërsa në rastin më të keq kanë dashur ta besojnë rolin e viktimave të imperializimit amerikan. Por e vërteta është se ato ndryshime janë bërë në përputhje me direktivën evropiane dhe fatmirësisht nuk është këtu fjala ime kundër fjalës së atyre që mendojnë ndryshe por ka një proces në zbatim të kalendarit të negociatave ku do të skanohen një për një me KE për ta përputhur krejt atë ligj 100 përqind me direktivën e BE  edhe ato ndryshime. Kështu që ky konflikt i stisur do të zgjidhet për bukuri në rrugën e negociatave, ku nuk kalon asgjë pa miratimin e Komisionit. Tani le të ngrejë dorën një i vetëm këtu në këtë sallë, jashtë mureve të kësaj salle, kudo në Shqipëri apo jashtë kufijve, dhe të thotë po e kisha imagjinuar në kohën e koreve shurdhuese të sharrave elektrike, dhe atyre shkulmuese të çifteve shfarosëse se do të vinte një ditë kur po në të njëjtin bulevard, kur në atë kohë protestuesit vriteshin si shpendët e lagunave nga dritaret e kryeministrisë, do të vërshonte një proteste masive qytetare për fatin e biodiversitetin të një lagune të vendit”, tha Rama.