Arben Malaj ka konfirmuar se do të kandidojë si kandidat i pavarur për kryetar të Bashkisë së Vlorës në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Malaj u është përgjigjur qytetarëve dhe mbështetësve që e kanë pyetur për kandidimin e tij, ndërsa ka renditur edhe pesë avantazhet që, sipas tij, sjell një kandidaturë e pavarur.
Ai thekson se kandidimi jashtë strukturave partiake i jep liri të plotë vendimmarrjeje, pa detyrime ndaj interesave politike apo klaneve të caktuara.
“Po! Unë do të kandidoj në 2027 si i pavarur për kryetar i Bashkisë Vlorë. Kjo është përgjigjja për çdo mbështetës dhe dashamirës, por edhe për çdo qytetar që më pyesin gjithnjë e më shumë”, shkruan Malaj.
Ndër avantazhet e kandidaturës së tij, ish-ministri rendit pavarësinë në vendimmarrje, moralitetin dhe besueshmërinë, fleksibilitetin në fushatë, rolin si sfidues i drejtpërdrejtë i sistemit politik dhe çlirimin e administratës nga ndikimet partiake.
Malaj deklaron se një kandidat i pavarur mund të krijojë një bashkim më të gjerë qytetar me intelektualë, aktivistë, biznese dhe përfaqësues të shoqërisë civile, duke shmangur ndarjet politike.
“Vendimet do të marrin parasysh vetëm interesin e banorëve të Vlorës”, shkruan ai, duke shtuar se synon një administratë të bazuar te meritokracia dhe barazia e mundësive për qytetarët dhe bizneset.
Arben Malaj ka qenë deputet i Partisë Socialiste dhe ministër i Financave në qeveritë e mëparshme socialiste.





