Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot, më 27 korrik, në seancë plenare publike, e cila do të nisë në orën 10:00.

Sipas rendit të ditës, deputetët do të shqyrtojnë fillimisht miratimin e procesverbalit të seancës së mëparshme, më pas do të vijojnë me njoftimet, ndërsa pika kryesore e rendit të ditës është projektvendimi për ndryshimin e vendimit nr. 87/2026, që lidhet me caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit.

Paralelisht me zhvillimin e seancës, është paralajmëruar edhe një protestë para godinës së Kuvendit. Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në tubim.

Për shkak të protestës, pritet një prani e shtuar e forcave të policisë dhe masa të përforcuara sigurie në zonën përreth Parlamentit.