Kur po i drejtohemi fundit të muajit korrik, investimi i nisur në pjesën fundore të shëtitores “Taulantia” nuk ka përfunduar pavarësisht premtimeve të inxhinierit të firmës zbatuese dhe kryetares së bashkisë Emiriana Sako, se do të mbyllej brenda muajit qershor.
“Besojmë brenda muajit qershorit duhet ta kemi përfunduar”,– deklaronte për “DurrësLajm”, Angjelo Tola, inxhinieri i firmës zbatuese të projektit, më datë 17 mars 2026.
Në kantierin e ndërtimit të hapur në shëtitoren bregdetare, që është hapësira publike më e madhe dhe më e frekuentuar në Durrës, për të dytën verë radhazi, nuk ka as punëtorë dhe as mjete të rënda.
Pavarësisht se janë vendosur 150 pergolatet e betonit të parashikuara në projekt, punimet nuk janë përmbyllur duke dëmtuar aspektin viziv të kësaj hapësire publike. Qëllimi i projektit të studios spanjolle, të themeluar nga arkitekti i famshëm Ricardo Bofill, ishte pikërisht përmirësimi i imazhit të kësaj hapësire.
Zvarritjet e punimeve për dy vite me radhë i kanë lodhur qytetarët durrsakë.
“Filluan mirë në fillim, thamë se do bënin vend çlodhjeje për ne. Po jo, ka dy vjet që ka mbetur kështu.”
“Kjo le për të dëshiruar. E bëjnë edhe me rrugët. E gjejnë me i bo gjithë punimet ne verë. Është fatkeqësi”.
“Këta edhe kur nisiin të punojnë në një lagje, vonohen shumë. Por kjo është një vepër e rëndësishme dhe e madhe dhe kërkon kohë të realizohet”,- thotë një shtetas italian.
Punimet e nisura vitin e kaluar qenë parashikuar të zgjasnin 8 muaj, por ky është një tjetër investim publik, që nuk përfundon brenda afateve të përcaktuara.
Projekti i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe që konsiston në vendosjen e 150 pergolateve përgjatë një gjatësie rreth 200 metra dhe ndërtimin e një dallgëthyesi është pritur me reagime të ndryshme nga qytetarët, pasi jo të gjithë e konsiderojnë si të përshtatshëm për këtë hapësirë publike. sirnkon
Kantieri është kthyer përgjatë gjithë gjatësisë së tij në vend depozitimi mbetjesh të ndryshme, ndërkohë që të gjithë ata turistë dhe vizitorë që dëshirojnë ta shohin të përfunduar do t’u duhet të rikthehen sërish verën e ardhshme, në po të njëjtin vend.
M.B.





