Për ndarjen e parakohshme nga jeta të operatorit Besim Moku, ka reaguar edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, qarku Durrës.
Në reagimin në rrjete sociale, shkruhet se ndarja e parakohshme nga jeta e Mokut ka shkaktuar hidhërim të thellë në radhët e komunitetit të medias në qytetin bregdetar.
Me profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar, Besim Moku u dallua për seriozitetin në punë, korrektësinë dhe etikën profesionale.
Postimi i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, qarku Durrës:
“Me hidhërim të thellë, Unioni i Gazetarëve Durrës shpreh dhimbjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut tonë, Besim Moku, operatorit të kamerës që, me profesionalizëm, përkushtim dhe integritet, dha një kontribut të çmuar në median shqiptare.
Përgjatë karrierës së tij, Besimi u dallua për seriozitetin në punë, korrektësinë dhe etikën profesionale. Ai fitoi respektin e kolegëve jo vetëm për aftësitë e tij profesionale, por edhe për mirësinë dhe gatishmërinë për të ndihmuar. Edhe kur vijoi ta ushtronte profesionin në sektorin privat, ai mbeti një figurë e vlerësuar dhe e respektuar nga komuniteti mediatik.
Largimi i tij është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe kolegët, të cilët do ta kujtojnë gjithmonë me respekt dhe mirënjohje.
Unioni i Gazetarëve Durrës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të Besim Mokut, duke ndarë me ta dhimbjen për këtë humbje.
Prehu në paqe Besim!
Mirënjohje për kontributin tënd, për shembullin që le pas dhe për respektin që fitove me punën e jetën tënde.
Ngushëllime familjes Moku!
Unioni i Gazetarëve Qarku Durrës
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë





