Partia Demokratike ka bërë një denoncim në lidhje me dhënien e një licence kazinoje në kullën e stadiumit “Air Albania”. Në një dalje për mediat, Sali Berisha dhe Belind Këlliçi publikuan investigimin, ndërsa shprehen se kjo është një aferë e rëndë dhe se dokumentet do t’i depozitojnë në Prokurorinë e Posaçme.
Sipas Këlliçit licenca është dhënë ndaj një kompanie që ka lidhje me Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama. Këlliçi përmend emrat e personave, që sipas tij janë përfshirë në këtë aferë dhe lidhjen e tyre me vëllain e kryeministrit Rama.
Sipas Këlliçit, kompania “Space +”, e licencuar për të operuar kazinonë në hotelin me pesë yje në kullën “Air Albania”, ndryshoi strukturën e pronësisë në vitin 2025, kur aksionet kaluan nga “ALB-STAR” te kompania “GLG Investment”.
“Shoqëria që ka një liçensë kazinoje në këtë hotel është Space +. Sipas të dhënave të QKB ky subjekt fillimisht kur mori liçensën, kishte si aksioner 99% shoqërinë ALB-STAR, dhe 1% W-CZ Holding s.r.o. Kjo e fundit një kompani e regjistruar në Republikën Çeke.
Sipas detyrimeve ligjore, kompania e cila aplikon për marrjen e një liçense duhet të ketë një kapital minimalisht 1.200.000.000 lekë, rreth 12 milionë euro.
Ligji përcakton gjithashtu se kompania duhet të ketë eksperiencë në fushën e lojrave të fatit, e mesa duket, kjo ka qenë arsyeja përse është futur si aksioner me 1% ortaku Ë-CZ Holdings s.r.o. në kazinonë në kullën Air Albania.
W-CZ Holdings s.r.o, është e lidhur me shoqëritë të cilat kanë pjesën më të madhe të tregut të lojrave të fatit, ADRIA ENTERTAIMENT dhe ËSI shpk, të lidhura drejtpërdrejtë me shtetasin Bledar Sinani. Në nëntor të vitit 2025 ALB-STAR i shet aksionet e kazinosë kompanisë GLG INVESTMENT”, tha Këlliçi.

Toka e blerë 320 mijë euro, u rivlerësua në 26 milionë euro
Një nga akuzat që ngre Këlliçi lidhet me rivlerësimin e një prone në Kepin e Rodonit. Sipas tij, një sipërfaqe prej 275 mijë metra katror e blerë për rreth 320 mijë euro, u rivlerësua brenda pak muajsh në rreth 26 milionë euro dhe kjo pasuri u përdor për të rritur kapitalin e kompanisë, duke i hapur rrugë ndryshimit të aksionerit dhe mbajtjes së licencës së kazinosë. Sipas tij, pas kompanisë “GLG Investment” fshihet një strukturë me kompani offshore, ndërsa ngriti dyshime mbi identitetin e pronarëve përfitues dhe burimin e financimit.
Në deklaratën e tij, Këlliçi përmendi edhe emrin e biznesmenit Bledar Sinani, duke pretenduar se ai lidhet me kompanitë e përfshira në aktivitetin e lojërave të fatit dhe me projektin në Kepin e Rodonit. Ai ngriti gjithashtu pretendime për lidhje mes Gert Hakës dhe Olsi Ramës, duke kërkuar që këto marrëdhënie të hetohen nga SPAK.
“Pasuria lloji Pyll, numër pasurie 118/9, ZK. 1522, me sipërfaqe 275,550 m2 ndodhur në Draç (Kepi i Rodonit), Durrës e cila vlerësohet sipas raportit të vlerësimit hartuar nga eksperti vlerësues Ing. Eno Kume bashkëngjitur këtij vendimi, në vlerën 2,556,732,008.00 Lekë, rreth 26 milionë euro.
Ekspertët tanë investiguan dhe më tej për origjinën dhe kohën që GLG e kishte blerë tokën, si dhe vlerën e saj.
Në aktin e ekspertit Eno Kume, të datës 19.06.2025 rezulton se: pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 275,550 m2, është blerë nga GLG INVESTMENT në datën 09.04.2025, në vlerën 32.239.350 lekë, rreth 320.000 euro.
Subjekti GLG është pajisur me çertifikatë pronësie në datën 29.05.2025, pra më pak se 2 muaj më pas.
Vlera me të cilën është blerë prona është 117 lekë për m2, pra 1.2 euro/m2.
Vlera 117 lekë është çmimi i referencës së tokës në atë zonë.
Po sipas dokumentacionit të ASHK, i cili gjendet bashkëlidhur Raportit të Vlerësimit, rezulton se në kartelën e kësaj pasurie është regjistruar dhe një kontratë sipërmarrjeje për ndërtim me kompaninë Premium Finance Invest, me pronar indirekt shtetasin Bledar Sinani.
Ekspertët tanë investiguan dhe më tej dhe rezultoi se kjo pronë është pjesë e një vendimi për kthim prone të Gjykatës së Apelit Durrës. Prona në total ka qenë mbi 1 milion m2, në Kepin e Rodonit, e cila është coptuar në disa pjesë me kontrata shitblerje me çmime fiktive.
GLG Investment e ka blerë këtë pronë tek shtetasi Çlirim Muhamet Tahiri, i cili e ka blerë nga një tjetër shtetas, dhe të gjitha këto transaksione janë kryer me çmimin e referencës.
Ndërkohë kur vetë vlerësuesi flet për shifra nga 95 euro deri 130 euro për m2 në atë zonë.
Pra këtu është e qartë skema.
Me vendime të dyshimta gjykate, përfitohen miliona metra katrorë tokë, kjo pronë më pas për të humbur gjurmët ndryshon disa herë pronësinë, dhe në fund i jepet GLG INVESTMENT. Mbi të gjitha po sipas bilanceve të GLG INVESTMENT kjo shumë nuk është paguar, por shoqëria e ka ende detyrim.
Për të përfituar liçensën e kazinosë, një tokë 275.000 m2 në Kepin e Rodonit, që u ble në vlerën 320.000 euro, pas 2 muajsh rivlerësohet me një akt vlerësimi në vlerën 26.000.000 euro. Mrekulli ekonomike e padëgjuar askund në botë, të cilën as Taulant Balla nuk e shpjegon dot.
E që të jem i qartë: është kryer një raport vlerësimi, është përdorur për të rritur kapitalin e kompanisë, në mënyrë që AMLF të jepte miratimin për të kaluar nga aksioneri ALB-STAR te aksioneri GLG Investment.
Përtej veprimeve të AMLF, Autoritetit të Konkurrencës, Drejtorisë së Pastrimit të Parave, të cilat kanë çertifikuar këtë skemë të kundraligjshme, një tjetër institucion del i përfshirë, dhe ai është Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga vetë Edi Rama.
Sa konstatuam dhe më lartë në këtë material në kartelën e pasurisë ishte regjistruar një kontratë sipërmarrje me kompaninë Premium Finance Invest shpk. Kjo shoqëri ka si aksioner Poëer Invest e themeluar në Austri. Në vitin 2021 Poëer Invest është përthithur nga shoqëria SIG Holding GMBH e Bledar Sinanit.
Në korrik të vitit 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike, me Vendimin NR. 6/5, datë 15/07/2021, ka vendosur të japë miratimin si investitor strategjik për një investim në Kepin e Rodonit.
Deri më sot masa e shpronësimit për ndërtimin e një kompleksi privat vilash nuk i është dhënë asnjë investitori tjetër përveç Bledar Sinanit dhe pikërisht në zonën e Kepit të Rodonit.
Pra Edi Rama, vetëm për shtetasin Bledar Sinani, pikërisht mbi këtë tokë, ka marrë vendim se nëse prona private nuk i jepet me vullnet klientëve të tij, kryeministri ua merr pronarëve me anë të shpronësimit për “Interes Publik”. Ky favorizim nuk është bërë për asnjë kompani tjetër vendase apo të huaj deri më sot në Shqipëri”, tha Belind Këlliçi.






