Sot në IEVP Durrës, tre avokatë, dy prej të cilëve anglezë Ben Brandon dhe Celia Marr, takuan klientin e tyre Erion Veliaj. Edhe pse prej kohësh ishte kërkuar kontakti me Erion Veliajn, ai u bë i mundur vetëm sot, me miratimin e SPAK, i cili autorizoi vizitën në institucionin e vuajtjes së dënimit.

Qëllimi i tyre ishte të bënin një rezyme të procesit të Erion Veliajt dhe, sipas avokatit të huaj Ben Brandon, ata do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut për masën e sigurisë që i është caktuar Erion Veliajt, “arrest në burg”, duke kërkuar një masë më të butë që t’i mundësojë të vazhdojë edhe detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Për këtë çështje është angazhuar edhe një studio tjetër ligjore amerikane, avokatët e së cilës ende nuk kanë marrë miratimin e SPAK për të takuar Erion Veliajn.
Ndërsa avokati Plarent Ndreca konfirmoi edhe një herë vendimin për ta çuar çështjen në Gjykatën e Strasburgut. Ai tha se presin miratimin që edhe avokatët amerikanë të kontaktojnë Veliajn. Sipas Ndrecës, mbrojtja do të kundërshtojë edhe çështjen e akuzuesit anonim, si dhe emërimin, që e konsideron antikushtetues, të prokurorit të çështjes, Olsi Dado.
“Kemi besim se do t’i fitojmë të gjitha çështjet, si rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Lartë për masën e sigurisë, rikthimin në krye të Bashkisë dhe do të vazhdojmë hap pas hapi me çështjet e tjera”, u shpreh Plarent Ndreca.





