Të flini të uritur nuk është gjithmonë zgjidhja më e mirë. Uria para gjumit mund të ndikojë në cilësinë e gjumit dhe ta mbajë organizmin në gjendje stresi, por kjo nuk do të thotë se duhet të hani ushqime të rënda ose me shumë kalori.
Ekspertët e ushqimit theksojnë se nuk është ora e ngrënies ajo që përcakton shtimin në peshë, por zgjedhja e ushqimit dhe sasia e konsumuar. Një shujtë e vogël, e pasur me proteina dhe e lehtë për tretje, mund të jetë një alternativë më e mirë sesa të qëndroni të uritur.
Ndër ushqimet që mund të konsumohen në mbrëmje përfshihen kefiri, mishi i gjeldetit, mollët e pjekura, qershitë, bajamet dhe produktet integrale.
Kefiri ofron proteina dhe mund të ndihmojë në ndjenjën e ngopjes, ndërsa mishi i gjeldetit është një burim i mirë proteinash me pak yndyrë. Mollët e pjekura dhe qershitë mund të jenë më të lehta për stomakun, ndërsa bajamet, edhe pse të pasura me magnez dhe triptofan, duhet të konsumohen në sasi të vogla për shkak të kalorive.
Edhe buka krokante integrale mund të jetë një zgjedhje e pranueshme para gjumit, por pa e tepruar me porcionet.
Ekspertët këshillojnë që të mos kombinohen të gjitha këto ushqime në një mbrëmje, pasi një shujtë e madhe mund të sjellë më shumë kalori dhe rëndim të stomakut.
Në fund, sekreti nuk qëndron te shmangia absolute e ushqimit pas një ore të caktuar, por te zgjedhja e duhur dhe sasia. Një kafshatë e lehtë para gjumit mund të jetë më e dobishme sesa një natë me uri dhe gjumë të shqetësuar.





