Deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, kanë depozituar në Kuvend propozimin e tyre për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0.
Konkretisht, në draftin e tyre, mazhoranca socialiste ka propozuar uljen e numrit nga 61 bashki që janë aktualisht, në 46.
Sipas PS-së, struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.
Çfarë ndryshon konkretisht, sipas PS-së?
Modeli i propozuar ruan bashkinë si të vetmen njësi të vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill, një administratë dhe një buxhet të vetëm.
Në organizimin e brendshëm të bashkive, si përgjigje ndaj kërkesave të ngritura gjatë dëgjesave, gjetjeve të raportit analitik të ekspertëve dhe nevojës për një model më të mirë përfaqësimi, krijohet një nivel i ri organizimi vendor: “Qyteti”. Në këtë mënyrë, skema aktuale “Bashki – Njësi Administrative” zëvendësohet me skemën “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”.
Qyteti merr një rol më të qartë në planifikim, përfaqësim dhe organizimin e shërbimeve, me një nënkryetar përgjegjës për koordinimin administrativ.
Në praktikë, 28 bashki konsolidohen në 13 bashki të reja.
Ky konsolidim e ul numrin e përgjithshëm të bashkive nga 61 në 46. Struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.
Bashkitë që bashkohen sipas propozimit të PS:
-Fushë-Arrëz + Pukë → Bashkia Pukë
-Klos + Mat → Bashkia Mat
-Rrogozhinë + Kavajë → Bashkia Kavajë
-Dimal + Berat + Poliçan → Bashkia Berat
-Patos + Fier → Bashkia Fier
-Divjakë + Lushnjë → Bashkia Lushnjë
-Selenicë + Vlorë → Bashkia Vlorë
-Maliq + Korçë → Bashkia Korçë
-Këlcyrë + Përmet → Bashkia Përmet
-Memaliaj + Tepelenë → Bashkia Tepelenë
-Libohovë + Gjirokastër → Bashkia Gjirokastër
-Cërrik + Elbasan + Belsh → Bashkia Elbasan
-Prrenjas + Librazhd → Bashkia Librazhd

Pavarësisht se Komisioni i Posaçëm Parlamentar mbi Reformën Administrativo-Territoriale është komision bipartizan, që drejtohet nga dy bashkëkryetarë të PS-së dhe PD-së, kjo e fundit nuk e ka zbardhur ende propozimin e saj.
Ndërkohë, PD kërkoi në një prej seancave plenare zgjatjen e afatit të punimeve të Komisionit, ndërsa Partia Socialiste u shpreh kundër.





