Një magazinë është përfshirë nga një zjarr i përmasave të mëdha pasditen e kësaj të enjteje në zonën e Shkozetit, në Durrës.

Sipas informacioneve paraprake, magazina prodhonte fishekzjarre dhe oxhaqe, ndërsa era ka favorizuar përhapjen e flakëve, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen e shërbimeve zjarrfikëse.

Në vendngjarje janë angazhuar disa mjete zjarrfikëse nga Durrësi, Kavaja dhe Porti, të cilat vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.

Dyshohet se zjarri ka nisur pasi janë këputur 2 kabuj te tensionit të lartë, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në një pjesë të madhe të Durrësit.

Gjatë zjarrit janë regjistruar edhe shpërthime të fuqishme, ndërsa në momentet e para nuk ishte vendosur perimetër sigurie rreth zonës.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se në kohën kur shpërtheu zjarri në magazine ndodheshin shumë punonjës.
Paraprakisht raportohet për dy persona të lënduar, të cilët kanë marrë ndihmë mjekësore.