Re tymi vijojnë të ngrihen ende në ajër nga rrënojat e asaj që dikur ishte magazinë fishekzjarresh.
Siç duket edhe në pamjet filmike që “DurrësLajm” përcjell, gjithçka është shkrumbuar ndërsa në vendngjarje ndodhen ende ekipet e zjarrfikësve, të cilët për shumë orë me radhë luftuan me flakët.
Ngjarja ndodhi pasditen e së enjtes kur zjarri ra në magazinën në zonën e Shkozetit, që doli më pas jashtë kotrollit edhe për shkak të produkteve që ndodheshin në magazinën e fishekzjarreve.
Në operacion u angazhuan 5 mjete zjarrfikëse, 4 autobotë, 1 autoshkallë dhe 24 punonjës të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH), forcat dhe mjetet e Portit të Durrësit, si edhe Stacioni i MZSH-së Shijak.
Gjatë operacionit, 5 efektivë të shërbimit zjarrfikës u transportuan në spitalin rajonal Durrës për shkak të asfiksimit si pasojë e tymit dhe zjarrit. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, 4 prej tyre lanë spitalin, ndërsa 1 efektiv ndodhet në reanimacion.
Ndërkohë dje mbeti pa energji Shkozeti dhe një pjesë e mirë e Durrësit, pasi rreth orës 15:40 u stakuan linjat 110 kV që furnizojnë nënstacionin e Shkozetit. Njëra prej linjave u mbajt jashtë funksionit si masë sigurie, me kërkesë të shërbimit zjarrfikës, për të mundësuar ndërhyrjen në zonën e përfshirë nga flakët.





