Një zjarr i rënë mbrëmjen e 30 korrikut, rreth orës 22:00, në Rezidencen Elma, në rrugën “Andon Boshnjaku”, në zonën e Plazhit në Durrës, ka nxjerrë në pah rrezikun serioz që vjen prej parkimeve të parregullta dhe bllokimit të rrugëve të emergjencës.

Sipas banorëve, shërbimi zjarrfikës mbërriti në vendngjarje, por automjeti nuk arriti të futej në brendësi të kompleksit, pasi rruga ishte bllokuar prej automjeteve të parkuara në mënyrë të gabuar.

Për pasojë, zjarrfikësja nuk mundi të afrohej pranë vatrës së zjarrit dhe nuk ndërhyri për shuarjen e tij. Zjarri u fik nga vetë banorët, të cilët përdoren sistemin e furnizimit me ujë dhe pajisjet e kompleksit.

Banoret shprehen për “DurrësLajm” se ndërhyrja e tyre shmangu përhapjen e flakëve, por ata tregojnë se nëse zjarri do të kishte marrë përmasa më të mëdha, pamundësia e hyrjes së mjeteve zjarrfikëse mund të kishte sjellë pasoja të rënda për jetën dhe pronën.

Problematika e parkimeve dhe e bllokimit të hyrjes në këtë zonë të plazhit nuk është e panjohur për institucionet. Banorët thonë se e kanë denoncuar disa herë verbalisht dhe me 1 korrik 2026 kanë depozituar një kërkesë zyrtare pranë Bashkisë Durrës dhe Policisë Bashkiake, të protokolluar me numrat 7357 dhe 7357/1.

Në këtë kërkesë, rezidentët paralajmëronin se parkimet në të dyja anët e rrugës “Andon Boshnjaku” dhe në hyrjen e kompleksit pengonin kalimin e ambulancave, zjarrfikëseve, mjeteve të pastrimit dhe automjeteve të banorëve.

Sipas tyre, situata është përkeqësuar pas heqjes së traut, që kontrollonte hyrjen në kompleks. Që prej heqjes së tij, hapësira që shërben si rrugë kalimi drejt parkimeve nëntokësore përdoret vazhdimisht për parkim, duke e bërë shpesh të vështirë kalimin edhe për automjetet e vogla.

“Ngjarja e mbrëmshme provoi se nuk bëhet fjalë vetëm për një problem parkimi apo komoditeti. Bllokimi i rrugës përbën rrezik të drejtpërdrejtë për jetën, pronën dhe ndërhyrjen e shërbimeve të emergjencës”, shprehen banorët jashtë kamerës.

Ata kërkojnë nga Bashkia Durrës, Policia Bashkiake dhe Policia Rrugore:

•        lirimin e menjëhershëm dhe të përhershëm të rrugës së aksesit;

•       vendosjen e tabelave të ndalim-parkimit dhe sinjalistikës për largimin me karrotrec;

•        kontrolle të vazhdueshme dhe masa ndaj automjeteve që bllokojnë rrugën;

•        rikthimin e traut, nëse lejohet ligjërisht, ose një tjetër zgjidhje fizike që garanton hyrjen e mjeteve të emergjencës;

•        inspektim urgjent në terren nga institucionet përgjegjëse.

Banoret theksojnë se, pavarësisht ankesave dhe kërkesës së protokolluar, deri tani nuk është marrë asnjë masë efektive në terren.

Ngjarja e fundit, sipas tyre, duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për institucionet, përpara se bllokimi i rrugës së emergjencës të shkaktojë pasoja të pariparueshme.

M.B.