Në vetëm 3 vjet, industria ushtarake e Ukrainës është rritur me ritme të jashtëzakonshme.

Kapaciteti i prodhimit është rritur nga 1 miliard dollarë në vitin 2022 në 35 miliardë dollarë në vitin 2025 dhe, sipas qeverisë ukrainase, pritet të kalojë 55 miliardë dollarë në vitin 2026. Kjo do të thotë se prodhimi do të jetë 55 herë më i madh se para nisjes së pushtimit rus në shkallë të gjerë.

Sot, industria e mbrojtjes është sektori më i madh prodhues në Ukrainë. Kompania shtetërore Ukroboronprom, e cila përfshin ndërmarrjet kryesore të mbrojtjes, ka rritur të ardhurat nga 1.3 miliardë dollarë në vitin 2022 në rreth 4 miliardë dollarë në vitin 2025. Madje, kapaciteti i prodhimit është bërë më i madh se porositë që merr nga shteti, ndaj Kievi ka vendosur të lejojë eksportin e kontrolluar të pajisjeve ushtarake, me kusht që furnizimi i ushtrisë ukrainase të mbetet prioritet.

Sipas përfaqësuesve të industrisë, Ukraina prodhon armë dhe dronë me teknologji të avancuar, të aftë të godasin objektivat me saktësi prej 1-2 metrash, të mbajnë deri në 100 kilogramë ngarkesë, të fluturojnë me shpejtësi rreth 700 kilometra në orë dhe të veprojnë në një distancë deri në 700 kilometra.

Një nga avantazhet më të mëdha të industrisë ukrainase është se armët testohen menjëherë në fushën e betejës. Kjo u mundëson inxhinierëve të përmirësojnë shumë shpejt programet dhe komponentët teknikë.

Një shembull janë dronët interceptorë, të zhvilluar fillimisht nga Ukraina për të rrëzuar dronët rusë Shahed pa përdorur raketa të shtrenjta kundërajrore. Kjo teknologji tani po zgjon interes edhe në vendet perëndimore.

Bashkimi Europian po e sheh gjithnjë e më shumë Ukrainën si një partner strategjik në industrinë e mbrojtjes.

Më 15 korrik, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidenti Volodymyr Zelensky nënshkruan në Kiev një marrëveshje për bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes dhe zhvillimin e dronëve.

Dy ditë më vonë u krijua EU-Ukraine Drone Alliance, me 18 kompani themeluese, mes tyre edhe italianja Leonardo dhe spanjollja Indra, të cilat synojnë të prodhojnë së bashku dronë dhe sisteme kundër dronëve deri në fund të vitit 2026.

Ndërkohë, Ukraina ka nënshkruar afro 20 marrëveshje bashkëprodhimi me vende të Bashkimit Europian, ndërsa bashkëpunon edhe me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin.

Edhe Italia po forcon bashkëpunimin me industrinë ushtarake ukrainase. Kompania Leonardo po zhvillon sistemin mbrojtës “Michelangelo Dome”, i cili pritet të testohet në Ukrainë deri në fund të vitit 2026.

Drejtuesit e kompanisë kanë vlerësuar përvojën e Ukrainës në zhvillimin e dronëve dhe kanë deklaruar se bashkëpunimi me industrinë ukrainase do të jetë pjesë e projekteve të ardhshme.