Një nga pyetjet më të zakonshme në psikologji është nëse trauma mund të zhduket plotësisht. Sipas autorit, Gabor Maté, studiues i traumave gjatë fëmijërisë dhe Tim Fletcher, specialist i traumave komplekse, shërimi nuk nënkupton fshirjen e kujtimeve, por ndryshimin e marrëdhënies që kemi me to.
Maté argumenton se qëllimi nuk është të harrojmë atë që ka ndodhur, por të kuptojmë se si plagët e së kaluarës vazhdojnë të ndikojnë në vendimet, marrëdhëniet dhe reagimet tona. Vetëdija, dhembshuria ndaj vetes dhe lidhjet e sigurta janë pjesë e këtij procesi.
Nga ana tjetër, Tim Fletcher thekson se trauma komplekse nuk shërohet përmes forcës së vullnetit. Ai flet për rëndësinë e “riprindërimit” të vetes, mësimit të rregullimit emocional dhe plotësimit të nevojave që nuk u përmbushën në fëmijëri..
Ekspertët bien dakord se procesi nuk është linear. Mund të ketë hapa përpara dhe prapa, por kjo nuk do të thotë se personi nuk po përparon.
Mesazhi i tyre kryesor është se simptomat si ankthi, varësitë, perfeksionizmi apo vështirësitë në marrëdhënie nuk duhen parë vetëm si probleme për t’u eliminuar, por si sinjale që tregojnë një plagë më të thellë që meriton të kuptohet me dhembshuri.





