Alpinisti i njohur Nirmal Purja është mes 10 personave që humbën jetën nga një ortek në malin Broad Peak në Pakistan, ka bërë të ditur kompania e tij.
Kompania Elite Expeditions njoftoi me “trishtim të thellë dhe dhimbje të jashtëzakonshme” se Purja, 43 vjeç, humbi jetën në ortekun e së enjtes.
Vdekja e Purjas u konfirmua gjithashtu nga kryeministri i Nepalit, Balendra Shah, i cili tha se “vdekja tragjike e gjashtë alpinistëve nepalas dhe katër alpinistëve të tjerë të huaj, mes tyre edhe mbajtësit të rekordit botëror Nirmal Purja, në vargmalin Karakoram të Pakistanit, na ka tronditur”.
“Historia e guximit, përkushtimit dhe kontributit të tyre do të mbetet gjithmonë frymëzuese”, shtoi kryeministri.
“Me zemrën më të rënduar po ndaj lajmin shkatërrues se vëllai im i dashur më i vogël, Nirmal ‘Nimsdai’ Purja, dhe alpinistët e tjerë nuk janë më me ne. Edhe pse zemrat tona janë të thyera, ne jemi jashtëzakonisht krenarë për ty. Trashëgimia jote do të jetojë përgjithmonë”, shkroi Kamal, vëllai i madh i Purjas.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, shkroi në platformën X:
“Është jashtëzakonisht e trishtueshme të mësoj për ndarjen nga jeta të Nirmal (Nims) Purjas dhe të atyre me të cilët po ngjitej. Ai ishte një njeri frymëzues që shërbeu për shumë vite në forcat tona të armatosura dhe aventurat e tij të jashtëzakonshme në alpinizëm njihen në të gjithë botën.”
Naila Kiani, zëdhënëse e Klubit Alpin të Pakistanit, i cili është përfshirë në operacionet e kërkimit, tha për programin Newshour të BBC-së se Purja kishte udhëhequr shumë ekspedita ku edhe ajo kishte marrë pjesë.
Duke vlerësuar aftësitë e tij drejtuese, ajo e përshkroi si një “alpinist shumë të përvojshëm dhe të patrembur”.
Kiani tha se Klubi Alpin do të njoftonte zyrtarisht vdekjen e tij vetëm pasi trupi të gjendej, por shtoi se “kemi frikë se të gjithë kanë humbur jetën”.
Ajo tha gjithashtu se ekipet e shpëtimit kanë parë disa trupa, por ende nuk kanë arritur tek ata.
Ekipet në Pakistan po kërkojnë alpinistët në majën Broad Peak, një nga 14 majat në botë mbi 8 mijë metra, pasi orteku goditi majën me lartësi 8 047 metra në vargmalin Karakoram.
Grupi shumëkombësh i alpinistëve drejtohej nga Purja. I njohur edhe si Nims, ai u bë i famshëm në vitin 2019 kur u ngjit në të gjitha 14 majat e botës mbi 8 mijë metra në vetëm 189 ditë, duke thyer rekordin e mëparshëm me më shumë se shtatë vite.
Ai u bë edhe më i njohur pas dokumentarit të Netflix-it “14 Peaks: Nothing Is Impossible”, i publikuar dy vite më vonë, i cili tregonte rrugëtimin e tij.
“Ka qenë një periudhë rraskapitëse, por njëkohësisht përulëse gjashtëmujore. Shpresoj të kem treguar se gjithçka është e mundur me vendosmëri, besim te vetja dhe pozitivitet”, th Purja asokohe.
Purja shërbeu në ushtrinë britanike për 16 vite, 10 prej të cilave në forcat speciale. Në vitin 2018 ai u nderua me medaljen MBE nga mbretëresha e ndjerë Elizabeth II për arritjet e tij në alpinizmin ekstrem në lartësi të mëdha.
Ai jetonte me bashkëshorten dhe vajzën e tij 3-vjeçare në Hampshire, në jug të Anglisë. Purja ishte gjithashtu gurkha i parë që u ngjit në Everest ndërsa shërbente në ushtrinë britanike.
Në postimin e tij të fundit në X, të publikuar të hënën, ai tha se fillimisht nuk kishte planifikuar të ngjitej në Broad Peak.
“Fillimisht plani ishte të ngjitesha vetëm në G2”, shkroi Purja, duke iu referuar Gasherbrum II, një tjetër majë në vargmalin Karakoram.
Por pak para nisjes për në Pakistan, ai kuptoi se nëse do të arrinte të ngjitej edhe në Broad Peak, do t’i mbetej vetëm edhe një mal për të pushtuar për t’u bërë personi i parë në histori që ngjitet dy herë në të 14 majat mbi 8 mijë metra, pa oksigjen shtesë.
Një “tetëmijëshe” është një mal që ngrihet mbi 8 mijë metra mbi nivelin e detit.
“Kjo nuk ishte planifikuar. Mundësitë nuk bërtasin; ato u pëshpëritin atyre që tashmë punojnë në heshtje”, shkroi Purja.
Broad Peak konsiderohet një nga malet më sfiduese për alpinistët. Ngjitja e parë e suksesshme u realizua në vitin 1957, kur një ekspeditë austriake arriti majën.
Që atëherë, shumë alpinistë e kanë ngjitur atë, por dhjetëra kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve.
Një nga vitet më tragjike për Broad Peak ishte 2013, kur u regjistruan të paktën gjashtë viktima.





