Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi të mërkurën se planifikon të “heqë shtetësinë e atyre që shpifin kundër ushtrisë izraelite”, si përgjigje ndaj dokumentarit “NAZA”, i cili pasqyron dëshmitë e ushtarëve të IDF-së mbi vrasjen e civilëve në Gaza, shkruan Haaretz.

Kryeministri tha se do të paraqesë dy projektligje: “I pari do të hiqte shtetësinë e kujtdo që shpif kundër ushtarëve të IDF-së, ndërsa i dyti do t’i godiste ata në xhep, duke rritur njëzetfish shumën e dëmshpërblimit për të cilën mund të paditen për shpifje,” tha Netanyahu.

“Ne do t’i godasim ata si në xhep, ashtu edhe në shtetësi, sepse ata nuk kanë vend mes nesh,” shtoi ai.

“Pres që çdo fraksion i Knesset-it që deklaron se mbështet idenë sioniste, t’i mbështesë të dyja këto projektligje,” tha ai.

Kryeministri deklaroi se të gjithë izraelitët “mbetën të tronditur nga tri incidente që i kanë shkaktuar dëme të mëdha Izraelit dhe ushtarëve të IDF-së. I pari ishte rasti kur [kreu i partisë së Demokratëve] Yair Golan tha se ushtarët e IDF-së vrasin foshnja si hobi. I dyti ishte kur Avokati i Përgjithshëm Ushtarak nxori një video të rreme që i paraqiste ushtarët e IDF-së si përdhunues. Incidenti i tretë vjen tani me filmin ‘NAZA’, i cili i paraqiti ushtarët dhe oficerët e IDF-së si kriminelë lufte. Ka ardhur koha që kjo çështje të trajtohet.”

Gjithashtu të mërkurën, Ministri i Kulturës dhe Sportit, Miki Zohar, deklaroi se i ka kërkuar “Shin Bet”-it – agjencisë izraelite të inteligjencës së brendshme të hetojë burimet e informacionit, dëshmitë dhe materialet e tjera të përdorura në filmin “NAZA”.

Zohar, një ministër nga partia Likud, tha se ky hap pason kërkesën e tij të mëparshme zyrtare drejtuar autoriteteve izraelite të emigracionit për të shqyrtuar mundësinë e heqjes së shtetësisë së krijuesve të filmit, Abraham dhe Szor, duke përmendur si arsye të mundshme “tradhtinë”.

“NAZA” fitoi Çmimin e Veçantë të Jurisë në Festivalin e Filmit në Venecia të shtunën dhe, sipas përmbledhjes zyrtare të filmit, zbulon “sistemet që qëndrojnë pas vrasjes masive të planifikuar nga Izraeli të civilëve palestinezë në Gaza” në pasojat e sulmeve të 7 tetorit.