Bashkimi Europian ka vënë në lëvizje mekanizmin e tij të mbrojtjes civile për tti ardhur në ndihmë Francës dhe Spanjës, të cilat po përballen me një nga sezonet më të vështira të zjarreve në vitet e fundit.
Pas një vere me temperatura ekstreme dhe katër valëve të të nxehtit, flakët kanë djegurr sipërfaqe të mëdha pyjore, kanë detyruar evakuimin e mijwra banorwve dhe kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në mjedis.
Nga Qendra Europiane e Koordinimit të Reagimit Emergjent në Bruksel po drejtohet operracioniI përbashkët për shpërndarjen e avionëve zjarrfikës, helikopterëve, ekipeve të shpëtimit dhe ekspertëve të mbrojtjes civile në zonat më të prekura.
“Ajo që po bëjmë është të kontaktojmë vende të ndryshme për të dërguar avionë, helikopterë dhe zjarrfikës në vendet ku ka më shumë nevojë. Gjithashtu do të dërgojmë kolegët tanë në terren për të mbështetur koordinimin e operacioneve dhe po përgatitemi edhe për bashkëfinancimin e kostove të gjithë këtij reagimi”, tha Maria Zuber.
Në qendrën e koordinimit në Bruksel monitorohen në kohë reale hartat e zjarreve në të gjithë kontinentin, ndërsa kërkesat për ndihmë nga shtetet anëtare përpunohen dhe koordinohen për të siguruar një reagim sa më të shpejtë.
Sipas autoriteteve europiane, bashkëpunimi mes vendeve anëtare është thelbësor, pasi asetet ajrore për shuarjen e zjarreve janë ndër më të kushtueshmet dhe nuk mund të përballohen lehtësisht nga çdo shtet veçmas.
“Këta avionë janë shumë të kushtueshëm, ndaj asnjë shtet anëtar nuk mund të blejë një numër të madh të tyre. Pikërisht për këtë është shumë e rëndësishme që të investojmë së bashku dhe t’i pozicionojmë paraprakisht në vende të ndryshme të Europës, që të mund të ndërhyjnë menjëherë kur lind nevoja”, tha Maria Zuber.
Komisionerja europiane për Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, e cilësoi reagimin e përbashkët si një shembull konkret të solidaritetit europian, duke theksuar se asnjë vend nuk mbetet i vetëm përballë fatkeqësive natyrore.
“Është e rëndësishme të themi se kur godet fatkeqësia, Europa qëndron e bashkuar. Ekipet janë në terren, avionët janë në ajër dhe fqinjët ndihmojnë njëri-tjetrin. Ky është solidariteti europian në veprim”, tha Hajda Lahbib.
Përtej reagimit emergjent, Brukseli kërkon që vendet anëtare të investojnë më shumë në parandalimin e zjarreve, menaxhimin e pyjeve dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve.
Sipas Komisionit Europian, rreth 90% e zjarreve në pyje shkaktohen nga veprimtaria njerëzore.
“Rimëkëmbja nuk nënkupton vetëm rindërtimin e asaj që humbi. Ne duhet të rindërtojmë më mirë dhe t’i bëjmë komunitetet më të forta dhe më të përgatitura për fatkeqësitë e ardhshme”, tha Hajda Lahbib.
Ndërkohë, meteorologët parashikojnë një tjetër valë temperaturash shumë të larta në Francë dhe Spanjë, duke rritur edhe më tej rrezikun për përhapjen e zjarreve.
Autoritetet europiane mbeten në gatishmëri të plotë, ndërsa mekanizmi i mbrojtjes civile vazhdon të koordinojë burimet dhe ndihmën ndërmjet vendeve anëtare për të përballuar një sezon që po konsiderohet ndër më sfiduesit e viteve të fundit.





