Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Somma Lombardo, në provincën e Varese në Itali, ku një 43-vjeçar dyshohet se vrau një motoçiklist, duke e ngatërruar me partnerin e ish-të dashurës së tij.

Viktima, një 36-vjeçar, nuk kishte asnjë lidhje me gruan. Ai ishte ndalur vetëm për ta ndihmuar, pasi e kishte parë të humbur dhe në vështirësi.

Sipas hetimeve, 39-vjeçarja kishte rënë dakord të takohej për herë të fundit me ish-të dashurin e saj për t’i kthyer disa sende personale, pasi lidhja e tyre kishte përfunduar më pak se një muaj më parë.

Gruaja po udhëtonte me motoçikletë drejt zonës La Maddalena, duke ndjekur udhëzimet në telefonin celular, por humbi rrugën. E ndalur në anë të rrugës dhe e shqetësuar, ajo u ndihmua nga një 36-vjeçar, i cili u ofrua ta shoqëronte deri në vendin e takimit.

Ndërkohë, 43-vjeçari, i cili po priste mbërritjen e saj, u nis me makinë për ta kërkuar. Sapo pa ish-të dashurën në motoçikletë me 36-vjeçarin, dyshohet se, i verbuar nga xhelozia, e përplasi qëllimisht mjetin me makinën e tij.

Përplasja rezultoi fatale për 36-vjeçarin, i cili humbi jetën në vendngjarje. Ekipet e emergjencës dhe karabinierët mbërritën menjëherë, por nuk mundën t’i shpëtonin jetën.

Hetimet përjashtuan mundësinë e një aksidenti rrugor dhe çuan në arrestimin e 43-vjeçarit, i cili akuzohet për vrasje.