Pesë persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Murras, në aksin kombëtar Elbasan–Cërrik.

Sipas informacionit paraprak, në aksident janë përfshirë tre automjete. Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ku po marrin ndihmë mjekësore. Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për gjendjen e tyre shëndetësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë Rrugore, grupi hetimor dhe ekipet e emergjencës, të cilat kanë normalizuar qarkullimin dhe kanë nisur hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Përplasja shkaktoi për disa minuta vështirësi në qarkullimin e automjeteve në këtë segment rrugor.

Policia po punon për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, ndërsa pritet një njoftim zyrtar me detaje mbi dinamikën e ngjarjes.