Të paktën shtatë persona, mes tyre tre fëmijë, janë vrarë pasi një dron ukrainas u rrëzua në një plazh të frekuentuar në bregdetin rus të Detit të Zi, pranë qytetit të Gelendzhikut.

Rreth 40 persona të tjerë janë plagosur nga shpërthimi, ndërsa pamjet e publikuara nga vendngjarja tregojnë momentin kur droni afrohet drejt plazhit dhe përplaset në zonën ku ndodheshin pushuesit.

Pas shpërthimit, njerëzit u panë duke u larguar me shpejtësi nga uji dhe zona e plazhit. Sipas autoriteteve ruse, 17 persona janë dërguar në spital për trajtim mjekësor, ndërsa në vendngjarje është dërguar edhe një ekip i specializuar për situata emergjente.

Guvernatori i rajonit Krasnodar, Veniamin Kondratyev, e ka cilësuar incidentin si një tragjedi.