Spërkatja me ujë mund të duket si mënyra më e mirë për të freskuar bimët e shtëpisë gjatë ditëve të nxehta, por për disa lloje ajo mund të sjellë dëmtime serioze.

Kur temperaturat rriten, shumë njerëz përdorin spërkatësin për t’u dhënë lagështi bimëve. Megjithatë, uji që mbetet mbi gjethe mund të shkaktojë djegie, kalbëzim dhe zhvillimin e sëmundjeve kërpudhore.

Bimët e thithin ujin kryesisht përmes rrënjëve dhe jo përmes gjetheve. Për këtë arsye, spërkatja shpesh nuk sjell përfitimin e pritshëm, ndërsa lagështia e tepërt mbi gjethe mund të krijojë probleme.

Bimë si vjollcat afrikane, gloksiniat, begoniat, orkidetë, ciklamenet, sukulentet dhe kaktuset nuk e tolerojnë mirë ujin mbi gjethe. Te këto lloje, lagështia mund të shkaktojë njolla, myk, kalbëzim të qendrës së bimës ose dëmtim të shtresës mbrojtëse të gjetheve.

Edhe bimët me gjethe kadifeje, si disa lloje peperomie, streptokarpusi dhe ginura, janë më të ndjeshme ndaj spërkatjes. Gjatë periudhës së lulëzimit, pikat e ujit mund të dëmtojnë edhe lulet duke lënë njolla mbi petale.