Tre persona janë arrestuar në Cërrik, ndërsa një 22-vjeçar është shpallur në kërkim, pas zbulimit të një rasti të dyshuar të ndërhyrjes së paligjshme në shtratin e lumit Devoll.
Sipas Policisë, gërryerja e lumit kishte devijuar rrjedhën e ujit dhe rrezikonte përmbytjen e tokave bujqësore në fshatin Gostimë.
Në pranga kanë përfunduar Lorenc Xibraku, 35 vjeç, dhe Lalchand Bhuria, 42 vjeç, shtetas indian, të dy punonjës të një subjekti që administrohej nga një 22-vjeçar, i cili tashmë është shpallur në kërkim.
Hetimet kanë zbuluar se subjekti kryente gërryerjen e shtratit të lumit me mjete të rënda, duke kaluar edhe kufijtë e lejuar në lejen përkatëse.
Si pasojë e ndërhyrjeve, rrjedha e lumit Devoll ishte devijuar, ndërsa ishte krijuar rrezik për përmbytjen e sipërfaqeve bujqësore në zonën e Gostimës.
Gjatë operacionit u sekuestruan një ekskavator dhe një kamion teknologjik që përdoreshin për gërryerjen e lumit.
Përveç procedimit penal, subjekti është ndëshkuar edhe me masa administrative nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në Cërrik.
Në të njëjtin operacion u arrestua edhe Behar Troka, 46 vjeç, i afërm i administratorit të subjektit, pasi rezultoi se kishte ndërtuar pa leje pranë zonës ku zhvillohej aktiviteti.
Policia vijon kërkimet për kapjen e administratorit 22-vjeçar, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.





