Ministria e Brendshme ka marrë vendimin për shpalljen “non grata” të dy shtetasve nga Maqedonia e Veriut, të cilët sipas autoriteteve shqiptare disponojnë të dhëna për veprimtari që cenojnë interesat e shtetit shqiptar.
Bëhet fjalë për Valon Beljan, i njohur edhe si Valjon Bela, dhe Bekir Halimin, të dy me shtetësi të Maqedonisë së Veriut.
Vendimi i autoriteteve shqiptare sjell ndalimin e hyrjes së tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Masa është marrë në kuadër të procedurave për personat që konsiderohen si rrezik potencial për sigurinë kombëtare.
Për mbledhjen dhe verifikimin e informacionit ndaj tyre ka kontribuar edhe Njësia Antiterror në Policinë e Shtetit.
Autoritetet nuk kanë bërë publike detaje të mëtejshme mbi natyrën e veprimtarive për të cilat dy shtetasit janë shpallur të padëshiruar, ndërsa vendimi është pjesë e masave parandaluese për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik.
Hetimet dhe verifikimet institucionale ndaj personave që konsiderohen me rrezik të mundshëm për sigurinë kombëtare vijojnë në kuadër të bashkëpunimit mes strukturave ligjzbatuese.





