Një agjent i FBI-së është arrestuar dhe shkarkuar nga detyra, pasi akuzohet se ka vjedhur kriptomonedha me vlerë mbi 900 mijë dollarë nga llogari që po monitoroheshin nga vetë agjencia amerikane.

Sipas dokumenteve gjyqësore të bëra publike të hënën, 3 gusht, agjenti 37-vjeçar Patrick Steven Yaroch dyshohet se ka shfrytëzuar aksesin e tij të brendshëm në sistemet e FBI-së për të transferuar asetet dixhitale në llogarinë e tij personale.

Yaroch ishte pjesë e një ekipi të hetimeve të sigurisë kombëtare të FBI-së, i cili fokusohej tek aktivitetet e lidhura me një “vend armiqësor”. Gjatë punës së tij, ai kishte identifikuar fondet në kriptomonedha dhe sipas hetuesve, ishte zhgënjyer që nuk mund të ndërhynte më shumë për të penguar përdorimin e këtyre llogarive nga një person anonim.

FBI-ja mbledh rregullisht informacione për llogari kriptomonedhash që dyshohet se përdoren nga organizata kriminale dhe aktorë shtetërorë në vende si Rusia, Kina dhe vende të tjera. Vendimi nëse këto llogari do të konfiskohen apo do të përdoren për mbledhje të mëtejshme informacioni merret në varësi të rastit.

Agjenti u arrestua javën e kaluar nga autoritetet amerikane, ndërsa FBI-ja e largoi nga detyra. Ai përballet me akuza për transport ndërshtetëror të mallrave të vjedhura dhe marrje të mallrave të vjedhura.

Në dokumentet e çështjes thuhet se informacionet janë siguruar edhe nga intervistat me Yaroch dhe një ish-koleg të tij në zyrën e FBI-së në Boston, të cilit agjenti i ishte rrëfyer.

“E bëra rrëmujë”, mësohet se i ka deklaruar Yaroch agjentëve të FBI-së gjatë marrjes në pyetje në shtëpinë e tij muajin e kaluar.

Një zëdhënës i FBI-së konfirmoi nisjen e hetimit ndaj tij.

“Sapo FBI-ja mori dijeni për këto pretendime, ndërmorëm menjëherë masa, nisëm një hetim dhe ekzekutuam një urdhër arresti ndaj këtij personi javën e kaluar”, tha zëdhënësi.

“Ne kërkojmë që punonjësit tanë të respektojnë standardet më të larta etike dhe kjo sjellje nuk tolerohet në FBI. Hetimi për faktet vijon dhe, për shkak se çështja është ende në zhvillim, nuk do të japim komente të tjera”, shtoi ai.

Detaje të tjera të bëra publike nga hetimi tregojnë se, një muaj para arrestimit, Yaroch kishte pyetur ChatGPT-në se çfarë do të bënte nëse do të kishte rreth 1 milion dollarë dhe do të dëshironte të largohej nga Shtetet e Bashkuara për t’u vendosur në një vend të Bashkimit Europian.

“Të kishe një kovë me para (rreth 1 milion dollarë) dhe doje të largoheshe nga SHBA-ja dhe të bëheshe rezident ose shtetas i një vendi të BE-së, çfarë do të bëje?”, ishte pyetja e tij drejtuar inteligjencës artificiale.

Përgjigjja e ChatGPT-së ishte përshtatur me moshën dhe stilin e jetës së agjentit, duke iu referuar një personi 37-vjeçar me familje të re, që synon një jetë më të qetë dhe një të ardhme në një zonë rurale.

Në përgjigje përmendeshin si shembuj vende si zona e Cilentos në Itali ose rajoni Dão në Portugali, si destinacione për një mënyrë jetese më të qetë larg SHBA-së.