Një dron i pajisur me material shpërthyes është gjetur pranë një avioni transporti ukrainas në aeroportin e Lajpcigut, në Gjermani, duke shkaktuar alarm te autoritetet e sigurisë.

Sipas raportimeve të medias gjermane Bild, pajisja fluturuese u zbulua rreth orës 23:40 pranë një avioni ukrainas të tipit Antonov. Gjatë kontrolleve rezultoi se droni kishte të bashkangjitur eksploziv dhe një detonator.

Autoritetet gjermane bënë të ditur se shpërthimi nuk ndodhi për shkak të një defekti në mekanizmin e ndezjes. Për çaktivizimin e objektit u përdor një robot i telekomanduar i skuadrave speciale për neutralizimin e mjeteve shpërthyese.

Sipas hetimeve paraprake, testet kanë konfirmuar praninë e materialeve që lidhen me eksplozivë, ndërsa detonatori është hequr nga policia federale gjermane. Pajisja nuk do të asgjësohet menjëherë, pasi autoritetet duan të ruajnë gjurmët e mundshme që mund të ndihmojnë hetimin.

Aeroporti i Lajpcigut, një nga pikat kryesore në Gjermani për transportin ajror drejt Ukrainës, u mbyll për disa orë pas zbulimit të dronit. Trafiku ajror u pezullua deri në orën 01:55, ndërsa një avion që vinte nga Majorka u devijua dhe u lejua të ulej vetëm rreth orës 03:35.

Hetimet po zhvillohen nga autoritetet e sigurisë së landit Saksoni, ndërsa në proces pritet të përfshihen edhe hetues të NATO-s.

Zyrtarët po përpiqen të përcaktojnë origjinën e dronit dhe nëse ngjarja lidhet me një përpjekje të mundshme sabotimi ndaj infrastrukturës që mbështet transportet drejt Ukrainës.