Instalacioni më i ri i vendosur në qytetin bregdetar është mirëpritur nga vendasit dhe të huajt.

Edhe pse ka vetëm 48 orë që është vendosur, të shumtë janë ata që ndalojnë aty për të shkrepur foto, duke marrë kështu me vete një kujtim të bukur nga qyteti i Durrësit.

Instalacioni “I ❤ DURRËS” i vendosur në hapësirën publike më të frekuentuar të qytetit, në shëtitoren Taulantia, i ngjan një deti në miniaturë.

Ai ngërthen në vetvete të kaltrën e Adriatikut, por edhe morinë e gjallesave detare, që popullojnë botën nënujore.

Durrsakët shprehen mjaft të kënaqur me këtë krijim të skulptorëve durrsakë, Ibrahim, Amarildo dhe Ergys Reçi, ndërsa urojnë që këtë herë ai të mos dëmtohet e prishet.

Një kujtim të bukur nga qyteti buzë Adriatikut, po marrin me vete edhe turistët e shumtë që kanë zgjedhur Durrësin, si destinacion për pushimet e tyre.

“Shumë qytet i këndshëm, bën nxehtë këtu tek ju, tek ne në Skoci bie shi në këtë periudhë. Do të qëndrojmë 12 ditë këtu. Do të frekuentojmë plazhin, por vizita të rëndësishme do të jenë edhe ato në sitet e trashëgimisë kulturore”.

“Kam ardhur nga Gjermnaia, së bashku me vajzën dhe motrën time. Po na pëlqen shumë këtu, njerëzit sidomos që janë miqësorë me ne të huajt. Keni ushqim mjaft të mirë. Do të qëndrojmë disa ditë këtu, do të vizitojmë dhe Tiranën”.

“Kemi ardhur nga Sllovakia dhe do të qëndrojmë 7 ditë. Më pëlqen shumë si qytet, jemi të kënaqur”.

I konceptuar si një pikë referimi urbane, instalacioni synon të jetë një hapësirë takimi, ku qytetarët dhe vizitorët mund të ndalen, të fotografojnë çaste të veçanta dhe të krijojnë kujtime të bukura.

Jo vetëm instalacioni më i ri, por edhe skulpturat e tjera të parkut janë pikë ndalesa interesante për turistët. madje në disa raste, me pakujdesinë e tyre, apo dëshirën për të realizuar foto në grupe të mëdha, ata rrezikojnë mbase padashje t’i dëmtojnë ato.

Skulptura “Rrënjët” u kthye vetëm pak javë më parë në shëtitore, por rrezikon të dëmtohet sërish nga pesha e atyre që tentojnë të ngjiten sa më lart për të realizuar foton perfekte.

M.B.