Ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka kritikuar mungesën e gjuhës shqipe në tabelën zyrtare të mirëseardhjes në një pikë kufitare të vendit, duke e cilësuar këtë një shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani publikoi një foto të tabelës, ku mbishkrimi i mirëseardhjes është i afishuar vetëm në gjuhën maqedonase, angleze dhe franceze, ndërsa shqipja mungon.
Sipas tij, përjashtimi i gjuhës shqipe nga sinjalistika shtetërore është i pajustifikueshëm, pasi legjislacioni në fuqi garanton përdorimin zyrtar të saj.
Ai kujtoi gjithashtu se, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët përbëjnë 29.5% të banorëve të Maqedonisë së Veriut.
“Gjuha shqipe është hequr nga tabela zyrtare e mirëseardhjes në kufirin e Maqedonisë së Veriut. Regjistrimi i fundit i popullsisë tregoi se shqiptarët përbëjnë 29.5% të popullsisë. Kushtetuta dhe ligji garantojnë përdorimin e gjuhës shqipe. Heqja e saj nga një tabelë zyrtare shtetërore përbën paligjshmëri institucionale, diskriminim dhe provokim të qëllimshëm”, shkruan Osmani.





