Mbrëmja poetike “Një gotë për Dorin”, një aktivitet i organizuar nga trupa e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, iu kushtua poetit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Teodor Keko, të ndarë nga jeta 24 vite më parë.
Mbrëmja solli në vëmendje krijimtarinë e një prej zërave më të veçantë të letërsisë shqipe, përmes interpretimit skenik të poezive nga aktorët e trupës së Durrësit, ndërsa në sfond dëgjoheshin këngët e njohura të intepretuara nga Pirro Çako e Ardit Gjebrea, ndërsa teksti është i Dorit të vogël, ashtu siç e njihnin miqtë dhe kolegët Teodor Kekon.

Aktori Romir Zalla u shpreh se rikthimi tek poezia e Teodor Kekos mbetet gjithmonë një përjetim i veçantë, sidomos për poezitë kushtuar bashkëshortes së autorit, të cilat, sipas tij, mbartin një ndjeshmëri të rrallë. Ai nënvizoi se figura si Teodor Keko meritojnë të kujtohen vazhdimisht për kontributin e tyre në letërsi, kulturë dhe jetën publike e politike.
Mes emocioneve, bashkëshortja e poetit, Xhuli Keko, e cilësoi këtë aktivitet si mënyrën më të bukur për të përkujtuar Dorin, në prag të 24-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta dhe ditëlindjes së tij më 2 shtator.
Teodor Keko ishte një nga figurat më të spikatura të letërsisë shqipe të viteve ’80 dhe ’90. I njohur për stilin e tij të drejtpërdrejtë, ironinë e hollë dhe ndjeshmërinë njerëzore, ai la një gjurmë të rëndësishme si poet, prozator, publicist dhe politikan. Gjatë jetës botoi disa vëllime me poezi, tregime dhe romane, ndërsa pas vdekjes u botuan edhe vepra të tjera nga krijimtaria e tij. Përgjatë viteve të demokracisë, ai u angazhua edhe në jetën politike shqiptare, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
M.B.





