Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Adriatik Kupi ka kërkuar pezullimin nga detyra të 6 efektivëve, pas konfliktit të ndodhur në burgun e Fierit një ditë më parë me protagonistë Denis Bajri (Brajoviç), Jurgen Zoto, të dy anëtarë të grupit famëkeq të Shkodrës, dhe Aldo Gjinin. Ky i fundit njihet si anëtar i grupit të Rrajave me bazë në Fushë-Krujë.
Pasditen e sotme, është mbledhur dhe Komisioni i Disiplinës i thirrur nga Kupi ku do të shqyrtohet kërkesa për largimin nga detyra të efektivëve që ishin në detyrë në kohën kur dhe ka ndodhur konflikti i dhunshëm ku i plagosur mbeti Denis Bajri dhe Jurgen Zoto.
Sakaq, për të përfshirët në konflikt është kërkuar dhe mbyllja për 3 muaj në izolim.
Ndërkohë, prokuroria e Fierit ka nisur hetime për të zbuluar nëse ngjarja ishte e porositur apo konflikt banal. Denis Bajrit i është marrë dëshmia, sipas së cilit Gjini dhe Zoto e kanë thirrur e më pas e ka sulmuar me mjete prerëse të improvizuara.
Denis Bajri akuzohet si pjesëmarrës në atentatin e Gjin Ndojit, ngjarje e ndodhur në vitin 2020 për llogari të Ervis Martinajt. Bajri u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe më 27 shkurt 2024 e më pas është ekstraduar drejt Shqipërisë. Jurgen Zoto ndodhet në burg i akuzuar për vepra penale si vjedhja apo armëmbajtja pa leje.
Aldo Gjini, akuzohet për trafikun e 2.4 ton marijuane e kokainë drejt vendeve të Evropës, në kuadër të grupit të organizuar kriminal, konkretisht pjesë e grupit të Rrajave.
Lexoni edhe:





