Nga Prof. Asoc. Dr. Bledar Kurti
Në dekadat e fundit politika në tërësi, kudo në botë, ka bërë të njëjtin gabim: ka menduar se brezi i ri është thjesht një version më i ri i elektoratit të vjetër. Por, nuk është. Të rinjtë po ndryshojnë jo vetëm mënyrën se si informohen, komunikojnë dhe ndërtojnë marrëdhëniet e tyre me shoqërinë, por edhe mënyrën se si e konceptojnë politikën, autoritetin, shtetin dhe të ardhmen.
Vihet re një distancim nga angazhimi aktiv politik i mirëfilltë. Shumë politikanë mendojnë se kjo është apati e brezit të ri, por në fakt të rinjtë nuk e konceptojnë si habitatin e tyre formën tradicionale të politikës. Dhe ky dallim e bën tejet të vështirë komunikimin midis palëve, pasi kemi përballë dy botë që funksionojnë me ritme të ndryshme. Politika tradicionale, e cila për shkak të përvojës së gjatë administrative komunikon përmes planeve, strategjive, programeve dhe rezultateve që kërkojnë kohë, ndodhet përballë një brezi që është formësuar nga teknologjia dhe nga një kulturë informacioni që i ka mësuar të kërkojë përgjigje të shpejta, përmbajtje të përmbledhur dhe rezultate të dukshme të menjëhershme. Nga njëra anë është politika tradicionale e cila i qëndron të vërtetës historike se “Roma nuk u ndërtua në një ditë” dhe nga ana tjetër është brezi i ri i cili pret që “Roma duhet ndërtuar tani.”
Ky brez ka lindur në një ekosistem ku informacioni nuk pritet më; informacioni vjen tek individi në kohë reale. Për shumë prej tyre, kontakti me teknologjinë ka nisur që në fëmijëri, shpesh që në vitet e para të jetës, kur telefoni apo tableti u jepej nga prindërit për të parë video për fëmijë në YouTube. Më pas, ky raport me teknologjinë u transformua në një mënyrë të tërë jetese. Sot, një i ri është mësuar të kalojë nga një informacion te tjetri me një lëvizje të gishtit, të shohë një video të shkurtër, të marrë një përmbledhje, të lexojë një titull, të shohë një grafik dhe menjëherë të kalojë te tema tjetër. Thellimi, procesimi, arsyetimi i shtjelluar dhe i shteruar tashmë neglizhohen instinktivisht.
Shpejtësia e internetit ka filluar të reflektohet edhe në shpejtësinë me të cilën kërkohet informacioni. Të dhënat ndërkombëtare e mbështesin këtë ndryshim. Sipas Reuters Institute Digital News Report, të rinjtë 18–24 vjeç janë sot qartësisht “social-first” në mënyrën se si marrin lajmet: ndërsa një dekadë më parë faqet dhe aplikacionet e mediave tradicionale ishin pika kryesore e aksesit, sot rrjetet sociale janë burimi kryesor. Në vitin 2024, rreth 73% e të rinjve 18–24 vjeç raportuan se kishin parë të paktën një video të shkurtër lajmesh gjatë javës.
Edhe më domethënëse është forma e përmbajtjes që konsumojnë. Në të dhënat e Reuters Institute për vitin 2026, 55% e përdoruesve të TikTok-ut që konsumojnë video lajmesh deklarojnë se shohin video nën dy minuta, ndërsa vetëm 18% raportojnë se shohin video lajmesh 6–20 minuta në këtë platformë.
Këtu qëndron një nga sfidat më të mëdha të politikës tradicionale. Një politikan mund të ketë përgatitur një program prej 150 faqesh, një strategji kombëtare prej dhjetë kapitujsh ose një fjalim 45-minutësh, por kjo nuk garanton më që brezi i ri do t’i japë kohën për t’i dëgjuar. Në të njëjtën kohë, një video 45-sekondëshe e një skandali apo humori mund të arrijë tek qindra mijëra të rinj brenda pak orësh. Kjo nuk është fitore e argumentit mbi përmbajtjen; është fitore e formatit mbi vëmendjen. Është demokraci digjitale, por me autor, jo filozofët e lashtë të kohërave, por algoritmin.
Edhe në Bashkimin Evropian ndryshimi është tashmë i matshëm. Eurobarometri i të Rinjve 2024, me më shumë se 25,000 të rinj të moshës 16–30 vjeç në të 27 vendet anëtare, tregon se 42% e të rinjve i konsiderojnë rrjetet sociale burimin e tyre kryesor për informacion mbi çështjet politike dhe sociale, përpara televizionit me 39%. Ndërkohë, sondazhi evropian mbi demokracinë tregon se 32% e të rinjve e konsiderojnë angazhimin në rrjetet sociale, përmes shprehjes së opinioneve, hashtags apo formave të tjera, si një mënyrë efektive për ta bërë zërin e tyre të dëgjohet nga vendimmarrësit.
Urgjenca kohore e brezit të ri ka krijuar një hendek të madh social dhe politik. Ky dallim i thellë i mendësisë së palëve u pa në protestat e Tiranës. Urgjenca në thirrje, fjalime, pritshmëri e kërkesa, si: Tani, ikni tani, burg tani, të shpërbëhet parlamenti tani, etj, dëshmon pikërisht këtë argument. Politika tradicionale kundërargumenton se ju nuk jeni gjykatës, vendosni e bëni zgjedhjen tuaj përmes votës, respektoni rendin kushtetues, etj, por pala tjetër funksionon me ekosistemin e shpejtësisë: o tani o kurrë.
Ky realitet ka çuar në një përfundim shumë të rëndësishëm për politikën. Asaj i duhet të mësojë të flasë në dy gjuhë njëkohësisht: gjuhën e shpejtësisë së brezit të ri dhe gjuhën e thellësisë së argumentit, politikës dhe demokracisë.
Kjo është urgjenca që politika duhet të kuptojë sa më shpejt. Nëse politikanët refuzojnë të përshtaten me mënyrën e re se si brezi i ri merr informacion, do ta humbasin vëmendjen e tij. Por nëse përshtaten aq shumë sa ta reduktojnë politikën vetëm në video 30-sekondëshe, slogane dhe reagime të menjëhershme, do të humbasin diçka edhe më të rëndësishme: aftësinë e demokracisë për të zhvilluar debat, argument dhe mendim të thellë.
Në shumë demokraci perëndimore dhe në rajonin e Ballkanit vihet re një transformim i thellë i mendësisë politike. Studimet mbi pjesëmarrjen politike të të rinjve kanë evidentuar kalimin nga ajo që literatura e quan “detyra qytetare”, pra qytetaria e bazuar kryesisht te detyrimi për të votuar, drejt “përfshirjes qytetare”, ku qytetari kërkon forma më të drejtpërdrejta, më horizontale dhe më fleksibël të pjesëmarrjes. Të rinjtë mund të mos duan të marrin pjesë në një mbledhje partie, por duan të ndikojnë mbi një çështje. Mund të mos duan të bëhen militantë, por duan të shprehen. Mund të mos besojnë një institucion, por mund të mobilizohen brenda pak orësh rreth një kauze që e konsiderojnë të drejtë.
Kjo është politika e shekullit të 21-të: angazhimi nuk është zhdukur; ka ndryshuar formë, kanal dhe mjet.
Politika ende e mat shumë shpesh suksesin me logjikën e vjetër: sa njerëz ishin në miting, sa flamuj u ngritën, sa anëtarë partie u mobilizuan dhe sa njerëz u shfaqën në një sallë. Por brezi i ri e mat me ndikimin që një ide mund të ketë në pak orë në telefonin e tij. Në këtë realitet, politikani nuk është më pronari i mesazhit. Është vetëm një zë në një hapësirë ku qytetari ka dhjetëra, qindra dhe mijëra burime alternative informacioni.
Kjo është arsyeja pse rrjetet sociale kanë ndryshuar jo vetëm komunikimin politik, por vetë strukturën e autoritetit politik. Të rinjtë evropianë marrin gjithnjë e më shumë informacion për çështjet publike përmes Instagramit, TikTok-ut, YouTube-it dhe platformave të tjera digjitale. Sipas Eurobarometrit të të Rinjve 2024, mijëra të rinj evropianë raportojnë forma të ndryshme të pjesëmarrjes politike dhe qytetare online. Kjo nuk do të thotë se rrjetet sociale janë domosdoshmërisht demokraci më e mirë. Përkundrazi, është një demokraci e kornizuar nga algoritmi. Por, do të thotë se politika që nuk është e pranishme në hapësirën ku jeton mendimi i brezit të ri, rrezikon të bëhet politikë e padukshme.
Në këtë realitet të ri, pyetja që duhet t’i bëjë vetes politika nuk është më vetëm se si t’i bindë të rinjtë të votojnë, por si t’i bëjë ata të besojnë se pjesëmarrja e tyre ka kuptim. Kjo kërkon një ndryshim të vetë mënyrës së të menduarit politik. Të rinjtë nuk duhet parë si një grup demografik që duhet joshur me slogane, video virale apo premtime të shpejta, por si një brez që kërkon të kuptojë, të sfidojë, të marrë pjesë dhe të shohë rezultate. Politika që i trajton ata vetëm si audiencë humbet mundësinë për t’i bërë qytetarë aktivë; politika që i trajton si partnerë mund të krijojë një brez të ri demokratik.
Politikanët duhet të mësojnë gjuhën e platformave të reja, por nuk duhet të pranojnë logjikën e tyre si filozofi politike. Një video e shkurtër mund të jetë mënyra më e mirë për të tërhequr vëmendjen, por nuk mund të zëvendësojë një program politik. Një slogan mund të ndezë emocionin, por nuk mund të zëvendësojë argumentin. Një postim viral mund të krijojë mobilizim, por nuk mund të ndërtojë një demokraci të qëndrueshme.
Prandaj politika duhet të mësojë një formulë të re: hyrje e shpejtë, por përmbajtje e thellë; komunikim i thjeshtë, por jo mendim i thjeshtuar.
Gjithashtu, kerkohet rikthim te arti i dëgjimit. Brezi i ri nuk ka nevojë për politikanë që flasin më shumë; ka nevojë për institucione që dëgjojnë më mirë. Partitë politike duhet të krijojnë mekanizma realë për konsultimin e të rinjve, jo vetëm forume simbolike të rinisë që aktivizohen gjatë fushatave elektorale. Universitetet, shkollat, organizatat rinore dhe institucionet publike duhet të shndërrohen në hapësira ku të rinjtë mund të propozojnë, kundërshtojnë dhe ndikojnë në politikat që prekin jetën e tyre. Nëse një brez ndihet se nuk dëgjohet brenda institucioneve, ai do të kërkojë mënyra alternative për ta bërë zërin e tij të dëgjohet.
Politika duhet të pranojë se besimi nuk kërkohet, por fitohet. Brezi i ri kërkon prova dhe rezultate. Ai dëshiron të dijë jo vetëm çfarë premtohet, por çfarë është realizuar. Në epokën e informacionit të menjëhershëm, mospërputhja midis fjalës dhe veprimit zbulohet shumë më shpejt. Prandaj besueshmëria duhet të bëhet valuta kryesore e politikës së kësaj mendësie të re.
Por, kurrë nuk duhet të braktiset debati i gjatë. Pikërisht sepse brezi i ri është rritur në një kulturë të përmbajtjes së shpejtë, universitetet dhe institucionet arsimore kanë një përgjegjësi edhe më të madhe për të mbrojtur aftësinë për të lexuar, dëgjuar, argumentuar dhe menduar gjatë. Një shoqëri demokratike nuk mund të funksionojë vetëm me tituj, reels dhe deklarata 30-sekondëshe. Demokracia kërkon durim intelektual. Kërkon aftësinë për të dëgjuar edhe argumentin e kundërshtarit, për të lexuar një tekst që nuk përfundon në një ekran të vetëm dhe për të pranuar se një problem kompleks mund të mos ketë një përgjigje të menjëhershme. Nëse algoritmi po shkurton vëmendjen, arsimi duhet ta zgjerojë atë.
Këtu universitetet kanë një rol të pazëvendësueshëm. Ato nuk duhet të jenë vetëm institucione që japin diploma, por shkolla të demokracisë. Studentët duhet të mësojnë jo vetëm profesionin që do të ushtrojnë nesër, por edhe mënyrën se si të dallojnë faktin nga manipulimi, argumentin nga propaganda dhe kritikën nga urrejtja. Një qytetar që nuk di të vlerësojë informacionin është lehtësisht i manipulueshëm, pavarësisht nëse manipulimi vjen nga një politikan, një media apo një algoritëm.
Në këtë përplasje mendësishë politika të mos ketë frikë nga urgjenca e të rinjve, por as të bëhet peng i saj. Është e drejtë që një i ri të kërkojë ndryshim. Është e drejtë të mos pranojë korrupsionin, padrejtësinë, pabarazinë apo mungesën e perspektivës. Por demokracia ekziston pikërisht për ta kthyer këtë energji në ndryshim institucional dhe jo në kaos. “Tani” është një thirrje e fuqishme politike, por një shtet nuk mund të funksionojë vetëm me “tani”. Institucionet duhet të jenë në gjendje të shpjegojnë pse disa ndryshime mund të bëhen menjëherë, pse të tjera kërkojnë kohë dhe cilat janë kufijtë kushtetues të pushtetit. Detyra e politikës nuk është ta shuajë padurimin e të rinjve, por ta shndërrojë atë në energji demokratike.
Dhe këtu qëndron ndoshta këshilla më e rëndësishme: mos u përpiqni ta bëni brezin e ri të ngjajë me brezat e mëparshëm. Politika duhet të kuptojë se ndryshimi nuk është domosdoshmërisht kërcënim. Të rinjtë nuk janë më pak politikë sepse nuk duan të marrin pjesë në strukturat tradicionale të partive. Ata thjesht mund të kenë një përkufizim tjetër të pjesëmarrjes. Nuk janë domosdoshmërisht apatikë sepse nuk ndjekin një debat parlamentar treorësh. Mund të jenë duke ndjekur një çështje politike në një platformë tjetër. Nuk janë domosdoshmërisht indiferentë sepse nuk marrin pjesë në një miting. Mund të mobilizohen për një kauzë përmes një telefoni brenda pak minutash.
Por edhe të rinjtë kanë një përgjegjësi. Shpejtësia nuk duhet të bëhet armik i së vërtetës. Një informacion që mbërrin shpejt nuk është domosdoshmërisht informacion i saktë. Një video që bëhet virale nuk është domosdoshmërisht argument i mirë. Një emocion i përbashkët në rrjet nuk është domosdoshmërisht një vendim i drejtë politik. Brezi që kërkon ndryshim duhet të mësojë gjithashtu të verifikojë, të lexojë, të dëgjojë dhe të mendojë përtej reagimit të parë.
Në fund të fundit, sfida nuk është të zgjedhim midis shpejtësisë dhe thellësisë, por të mësojmë t’i bashkojmë ato. Politika duhet të jetë aq e shpejtë sa të mos humbasë brezin e ri, por aq e thellë sa të mos humbasë demokracinë. Duhet të flasë në gjuhën e TikTok-ut pa menduar si TikTok-u; të përdorë fuqinë e rrjeteve sociale pa u bërë rob i algoritmeve; të komunikojë shkurt pa menduar shkurt.
Brezi i ri nuk po largohet domosdoshmërisht nga politika. Ai po largohet nga mënyra e vjetër e të bërit politikë. Dhe ky është një dallim që politikanët duhet ta kuptojnë para se të jetë tepër vonë. Sepse brezi që nuk pret më nuk do të presë as politikën që të kuptojë ndryshimin. Ai do ta krijojë vetë. Pyetja është nëse politika do të jetë mjaftueshëm e mençur për ta dëgjuar, mjaftueshëm fleksibël për t’u përshtatur dhe mjaftueshëm e fortë për ta orientuar këtë energji drejt demokracisë, dhe jo drejt kaosit.
Sepse një demokraci që nuk di t’i flasë brezit të ri rrezikon të humbasë të ardhmen. Por një demokraci që i flet atij vetëm me gjuhën e shpejtësisë siç e kërkon ky brez rrezikon të humbasë edhe të tashmen.
Shpejtësia mund të ndezë një turmë, por vetëm arsyeja mund të ndërtojë një shoqëri; sepse historia ka treguar se demokracia nuk rrezikohet nga ata që mendojnë ngadalë, por nga ata që reagojnë shpejt pa menduar.





