Një drejtues mjeti lundrues është ndëshkuar me 500 mijë lekë të rinj gjobë dhe i është bllokuar Jet Ski, pasi hyri brenda perimetrit të sigurisë në zonën e plazhit në Ksamil.
Ngjarja u konstatua gjatë patrullimit të shërbimeve të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare në sektorin detar pranë “Bar Bistro”. Sipas Policisë, mjeti lundrues kishte hyrë në zonën e përcaktuar për sigurinë e pushuesve, duke rrezikuar personat që ndodheshin në plazh.
Në përfundim të procedurave administrative, mjeti u bllokua, ndërsa drejtuesi, shtetasi me inicialet P. S., u gjobit me 500, 000 lekë të rinj.
Policia apelon ndaj drejtuesve të mjeteve lundruese që të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, ndërsa kontrollet përgjatë vijës bregdetare do të vijojnë me fokus parandalimin e incidenteve dhe garantimin e sigurisë së pushuesve.





