Gjermania po humbet të rinjtë e saj: Pjesa e të rinjve në popullsi mbetet në një nivel historikisht shumë të ulët, mesohet nga të dhënat e Entit Federal të Statistikave. Veçanërisht në Gjermaninë Lindore mungon rinia.
Përqindja e të rinjve në Gjermani vazhdon të jetë e ulët. Sipas Entit Federal të Statistikave, në fund të vitit të kaluar kishte 8,3 milionë persona të moshës nga 15 deri në 24 vjeç. Kjo përbën 10 për qind të popullsisë.
“Që nga fillimi i viteve 2020, pjesa e të rinjve në popullsinë e përgjithshme ka mbetur në këtë nivel të ulët”, thuhet më tej në njoftim.
Për krahasim: pjesën më të lartë në popullsinë e përgjithshme të vendit të rinjtë e kishin në gjysmën e parë të viteve 1980. Në atë kohë, brezat me natalitet të lartë të të ashtuquajturve “baby boomers” ishin në moshë të re. Në vitin 1983, çdo i gjashti person (16,7 për qind) ishte i moshës 15 deri në 24 vjeç.
Disbalanca demografike dhe ndryshimet sociale e ekonomike
Në Gjermani prej dekadash lindin më pak fëmijë sesa nevojiten për zëvendësimin e brezave. Kjo bën që numri i të rinjve të zvogëlohet gradualisht.
Brezat e më të moshuar të lindur pas Luftës së Dytë Botërore (baby boomers) po hyjnë në moshën e pensionit. Si rezultat, numri i personave të moshuar po rritet më shpejt se ai i të rinjve, duke ulur peshën relative të të rinjve në popullsi.
Shumë të rinj largohen nga zonat rurale dhe veçanërisht nga Gjermania Lindore për të studiuar ose punuar në qytetet më të mëdha të Gjermanisë Perëndimore. Kjo krijon mungesë të të rinjve në rajone të caktuara.
Shumë çifte vendosin të kenë fëmijë më vonë ose më pak fëmijë për shkak të kostove të larta të jetesës, strehimit, edukimit dhe sfidave të balancimit të punës me jetën familjare./DW





