Një 22-vjeçar ka humbur jetën gjatë një fluturimi të Southwest Airlines drejt Los Angelesit, pavarësisht përpjekjeve të ekuipazhit dhe pasagjerëve për ta shpëtuar.

Pasagjeri pësoi një emergjencë mjekësore në bord dhe të pranishmit kryen disa herë reanimim kardiopulmonar, ndërsa avioni vijoi udhëtimin drejt Kalifornisë.

Në momentin e uljes në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Angelesit, ekipet e emergjencës prisnin avionin dhe ndërhynë menjëherë për ta ringjallur të riun, por pa sukses.

Ende nuk janë bërë të ditura simptomat që ai kishte shfaqur para se të humbiste ndjenjat dhe nuk dihet nëse 22-vjeçari kishte probleme të mëparshme shëndetësore.

Southwest Airlines konfirmoi se në fluturimin 958 kishte ndodhur një “incident mjekësor që përfshinte një pasagjer”, por kompania nuk dha detaje të tjera për rrethanat e ngjarjes.