Mjetet ajrore pa pilot po luajnë një rol të rëndësishëm në monitorimin dhe menaxhimin e situatave të zjarreve në vend.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, përmes një postimi në rrjetet sociale sot më 12 gusht ka vlerësuar rëndësinë e përdorimit të teknologjisë ajrore në mbështetje të operacioneve të emergjencave. Sipas tij, dronët janë pjesë e rëndësishme e kapaciteteve të Forcave të Armatosura për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve po përdoret edhe droni Bayraktar TB2 i Forcës Ajrore. Pajisja kryen misione monitorimi gjatë ditës dhe natës në zonat e prekura nga flakët. Përmes transmetimit në kohë reale, autoritetet marrin informacion mbi vendndodhjen dhe përhapjen e vatrave të zjarrit.
Të dhënat ajrore ndihmojnë gjithashtu në ndjekjen e lëvizjeve të helikopterëve të angazhuar në operacione. Informacioni i siguruar nga dronët përdoret për drejtimin dhe koordinimin më të mirë të forcave në terren. Kjo mundëson një reagim më të shpejtë nga strukturat përgjegjëse në zonat e rrezikuara.
Postimi i ministrit të Mbrojtjes Ermal Nufi:
Përdorimi i mjeteve ajrore pa pilot përbën një komponent të rëndësishëm të kapaciteteve të Forcave të Armatosura në mbështetje të operacioneve për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.
Droni Bayraktar TB2 i Forcës Ajrore kryen misione monitorimi ditën dhe natën, duke transmetuar në kohë reale informacion mbi vatrat e zjarrit, përhapjen e flakëve dhe lëvizjen e helikopterëve të angazhuar në të gjithë zonat e operacioneve.
Të dhënat e siguruara nga ajri mbështesin drejtimin dhe koordinimin e forcave në terren, si dhe reagimin e shpejtë të strukturave përgjegjëse.
Po gjatë ditës së sotme, Ministria e Mbrojtjes dha informacion të detajuar mbi vatrat e zjarrit në territorin e vendit. MM bëri me dije se janë 25 vatra zjarri, teksa 9 janë aktive.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në shumicën e zonave aktive aktualisht nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për banesat. Forcat në terren po përqendrohen në izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së zjarreve.
Operacionet tokësore dhe ajrore do të vijojnë deri në neutralizimin e plotë të vatrave aktive.





