Një vatër e re zjarri është aktivizuar në Bubq të Krujës, për të cilën ka shkuar në ndihmë zjarrfikësja e Vorës. Ata po punojnë për shuarjen e flakëve dhe neutralizimin e situatës, ndërsa ende nuk dihet përmasa e zjarrit dhe nëse rrezikohen banesa.
Edhe vatra e zjarrit në lagjen Abazaj mbetet aktive, ndërsa për shuarjen e saj janë angazhuar Forcat e Armatosura dhe mjetet ajrore. Ndërsa në Krastë dhe Halil po operojnë forcat e ADZM-së, strukturat bashkiake dhe 58 efektivë ushtarakë me 6 automjete, ku bëhet me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Operacionet po vijojnë edhe në Dajt, Priskë të Madhe, Patos–Mallakastër, Krujë, Përmet, Gurë-Lurë, Devoll, Mirditë dhe Vau të Dejës, me ndërhyrje të koordinuara nga toka dhe ajri.





