Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një deklaratë të re që parashikon vendosjen e tarifave deri në 100 për qind për dronët e importuar dhe disa prej komponentëve të tyre, me argumentin se masat lidhen me sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e zinxhirit të furnizimit.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, tarifa 100 për qind do të aplikohet për dronët që konsiderohen veçanërisht të ndjeshëm nga pikëpamja e sigurisë kombëtare.
Në këtë kategori përfshihen pajisjet me peshë mbi 25 kilogramë, dronët me teknologji të imazhit termik, si dhe stacionet e tyre të dokimit dhe disa komponentë të rëndësishëm.
Për dronët më të vegjël që nuk kanë karakteristika të caktuara të ndjeshme, si dhe për komponentë të tjerë, tarifa do të jetë 25 për qind.
Ndërkohë, për produktet dhe komponentët e importuar nga Bashkimi Evropian, Japonia, Lihtenshtajni, Koreja e Jugut, Zvicra dhe Tajvani do të aplikohet një tarifë prej 15 për qind.
Për importet që plotësojnë kushtet nga Britania e Madhe, norma do të jetë 10 për qind, nëse hardueri, softueri dhe teknologjia kanë origjinë kryesisht nga këto vende ose nga SHBA-të.
Shumica e masave tarifore pritet të hyjnë në fuqi 21 ditë pas nënshkrimit të deklaratës. Ndërsa tarifat për komponentët që nuk klasifikohen si veçanërisht të ndjeshëm do të fillojnë të zbatohen pas 180 ditësh.
Administrata amerikane argumenton se masat kanë për qëllim nxitjen e prodhimit vendas të dronëve dhe uljen e varësisë së Shteteve të Bashkuara nga furnizuesit e huaj për komponentët strategjikë.





