Policia në Ekuador ka sekuestruar rreth 453 kilogramë kokainë gjatë kontrollit të një kamioni pranë kufirit me Kolumbinë.
Ajo që iu bëri përshtypje autoriteteve ishte mënyra e paketimit të drogës. Në pakot e kokainës ishte stampuar portreti i futbollistit norvegjez Erling Haaland.
Sipas autoriteteve ekuadoriane, ngarkesa e sekuestruar vlerësohet të ketë një vlerë prej më shumë se 11 milionë dollarësh në tregun amerikan, ndërsa në tregun evropian vlera e saj mund të arrijë në rreth 20 milionë dollarë.
Ekspertët e krimit të organizuar thonë se përdorimi i portreteve të personazheve të njohur, figurave politike apo simboleve të ndryshme në paketimet e drogës është një praktikë e njohur mes grupeve kriminale.
Këto shenja përdoren për të identifikuar dërgesat, për të dalluar ngarkesat e një grupi nga ato të një grupi tjetër dhe, në raste të caktuara, për të komunikuar edhe për cilësinë e produktit.
Autoritetet ekuadoriane kanë nisur hetimet për të zbardhur origjinën e kokainës, destinacionin dhe identitetin e personave që fshihen pas saj.





