Një 28-vjeçare është dënuar me gjashtë vite burg në Skoci, pasi u shpall fajtore për vdekjen e vajzës së saj vetëm tre muajshe, të cilën e ekspozoi për një periudhë të gjatë ndaj temperaturave të larta me anë të një tharëseje flokësh.
Courtney Gartsor u shpall fajtore për vrasje pa dashje, pas një gjyqi të zhvilluar në Gjykatën e Lartë në Aberdeen në korrikun e kaluar.
Ngjarja ndodhi në shtator 2023, në një banesë në Peterhead, Aberdeenshire. Shërbimet e emergjencës u thirrën në banesë, por foshnja, Dalia-Rose, kishte ndërruar jetë.
Sipas të dhënave të bëra publike gjatë gjyqit, foshnja kishte pësuar djegie të rënda në rreth 18% të sipërfaqes së trupit, përfshirë edhe kokën.
Gjykatësi: Një çështje jashtëzakonisht tronditëse
Gjatë shpalljes së dënimit në Gjykatën e Lartë të Edinburgut, gjyqtari Simon Collins e cilësoi çështjen si “jashtëzakonisht tronditëse dhe të dhimbshme”, duke e përshkruar atë si një ngjarje “tragjike dhe të tmerrshme”.
Gartsor e ndoqi seancën përmes videolidhjes. Gjatë procesit, ajo qau dhe fshiu vazhdimisht lotët.
Gjyqtari deklaroi se 28-vjeçarja do të duhet të jetojë gjatë gjithë jetës me dijeninë se ishte përgjegjëse për vdekjen e vajzës së saj.
Avokati i saj, Murray Macara, tha se Gartsor nuk kujtonte të kishte përdorur tharësen e flokëve. Ai shtoi se nuk mund të jepte një shpjegim “logjik ose bindës” për përdorimin e pajisjes, duke hedhur si mundësi që foshnja mund të kishte pasur ftohtë dhe nëna të ishte përpjekur ta ngrohte.
Gjykata mësoi gjithashtu se Gartsor kishte konsumuar alkool përpara ngjarjes.
Në gjykatë u dëgjua edhe regjistrimi i telefonatës së 28-vjeçares me shërbimet e emergjencës. Ajo kishte deklaruar se fëmija ishte bërë “vjollcë”, ndërsa vetë kishte qenë në gjumë.
Hetimet zbuluan gjithashtu gjurmë të ADN-së së foshnjës në tharësen e flokëve.
Megjithatë, eksperti i djegieve, Dr. Timothy Burge, dëshmoi se, sipas vlerësimit të tij, dëmtimet termike nuk kishin shkaktuar vdekjen e foshnjës. Ai deklaroi se foshnja “mund të kishte qenë tashmë e vdekur”.
Edhe mbrojtja kishte argumentuar se Dalia-Rose mund të kishte ndërruar jetë përpara se të pësonte djegiet.
Juria, megjithatë, arriti në një vendim unanim fajësie pas pak më shumë se një ore diskutimesh.





