Banorët e Bashkisë Divjakë kanë vijuar për të 15-tën ditë radhazi protestën kundër reformës territoriale. Banorët janë shprehur të revoltuar, për shkak të mungesës së këshilltarëve në mbledhjen e jashtëzakonshme të këshillit bashkiak. Protestuesit shprehën revoltën e tyre ndaj këtij veprimi, duke kujtuar se sovraniteti i takon qytetarëve.

“Këshilltarët janë zgjedhur me votën tonë dhe duhet të jenë këtu në mbështetje të qytetarëve, jo të mungojnë në mbledhjet kyçe për të ardhmen e bashkisë sonë,” u shprehën ato. 

Qytetarët e mbyllën marshimin përgjatë rrugëve kryesore të qytetit me thirrjet e fuqishme: “Divjaka Bashki!” Në fund të tubimit ata u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen edhe më të shumtë në protestën e radhës.