Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u pyet gjatë komunikimit me ndjekësit edhe për koncesionin 10-vjeçar të hemodializës, me vlerë rreth 75 milionë euro, dhe akuzat se kompania fituese nuk kishte ofertën më të ulët, ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar pagesa për shërbime të pakryera.

Në fjalën e tij, Berisha tha se ky është një tjetër shembull i modelit klientelist të përdorimit të fondeve publike. Ai akuzoi gjithashtu qeverinë se po përgatit një skemë të re për tregtinë e ilaçeve, që sipas tij do të jetë e ngjashme me KAYO-n.

“Rama ka përzgjedhur KAYO-n e radhës për t’ia kaluar importin e ilaçeve, natyrisht për të ndarë paratë me të. Kështu që, kemi të bëjmë me një hap tjetër, akt tjetër madhor të duarve të zeza mbi qindra e qindra milionë euro importe të ilaçeve për shqiptarët.”, tha ai.

Pyetje: Doktor, si është e mundur që një koncesion 10-vjeçar i hemodializës me vlerë rreth 75 milionë euro të fitohet nga një kompani, që sipas denoncimeve të PD, nuk kishte ofertën me të ulët dhe mori pikët maksimale për eksperiencën, ndërsa KLSH ka konstatuar edhe pagesa për shërbime të pakryera. A nuk kemi edhe këtu një shembull tjetër të një modeli klientelist, ku paratë publike përdoren për të garantuar fitime private?

Berisha: Kryekëput kjo është. Para se të shpallet tenderi, çohet valixhja me miliona apo bëhen transfertat në kontot offshore të tyre. Dhe ky është një krim. Dhe monopolizimi i dializës është një goditje e rëndë edhe për spitalet e tjera. Aq më tepër, kur oferta nuk është më e lirë, është qartësisht flagrante si akt korruptiv.

Por ju keni dëgjuar besoj se, Edi Rama kërkon të ‘shtetëzojë’ të gjithë tregtinë e ilaçeve në Shqipëri, por burime të mirëinformuara njoftojnë se pas krijimit të ndërmarrjes shtetërore për importin e ilaçeve, atëherë do përdoret modeli KAYO apo modeli i punëve të pista të qeverisë. Rama ka përzgjedhur KAYO-n e radhës për t’ia kaluar importin e ilaçeve, natyrisht për të ndarë paratë me të. Kështu që, kemi të bëjmë me një hap tjetër, akt tjetër madhor të duarve të zeza mbi qindra e qindra milionë euro importe të ilaçeve për shqiptarët.