Një rrjet narkotrafiku është goditur nga policia greke, pas zbulimit të një sasie prej më shumë se 324 kilogramësh kanabis, e cila dyshohet se ishte nisur nga Shqipëria dhe do të transportohej përmes Greqisë drejt Turqisë.

Operacioni është zhvilluar në Selanik dhe ka çuar në arrestimin e dy personave, që sipas mediave greke janë një shtetas i Kosovës dhe një nga Maqedonia e Veriut, ndërsa policia vijon kërkimet për anëtarë të tjerë të grupit kriminal. Sipas hetimeve, organizata kishte ngritur një skemë të posaçme për fshehjen dhe transportin e drogës, duke shfrytëzuar kamionë që kryenin transport ndërkombëtar.

Gjatë kontrollit, policia greke zbuloi tetë paleta me materiale për riciklim. Brenda tyre u gjetën qese të mbushura me kanabis, me një peshë totale prej rreth 324 kilogramësh e 474 gramësh. Vlera e drogës nëse do të hidhej në treg përllogaritet se do të kalonte 700 mijë euro.

Droga fshihej në ngarkesa me materiale për riciklim. Trafikantët kishin krijuar hapësira të posaçme brenda materialeve të riciklueshme, në mënyrë që ngarkesa e paligjshme të mos zbulohej gjatë kontrolleve.

Droga kishte hyrë në territorin grek nga Shqipëria dhe destinacioni përfundimtar ishte Turqia. Hetuesit dyshojnë se rrjeti funksionon në disa vende të Ballkanit dhe ka një strukturë të organizuar për transportin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Policia ka sekuestruar gjithashtu automjetet dhe materialet e përdorura për transportin, ndërsa po heton edhe lidhjet e të arrestuarve me persona të tjerë të përfshirë në trafik.

Autoritetet greke po bashkëpunojnë me strukturat homologe të vendeve të tjera për të zbardhur të gjithë itinerarin e drogës dhe për të identifikuar organizatorët e rrjetit.