Në 400 km vijë bregdetare që ka Shqipëria, 12 % prej të cilave janë të menaxhuara, këtë sezon jo të zakontë turistik, ministri i Turizmit Blendi Klosi thotë se do të kërkohen më shumë hapësira publike si për qytetarët, ashtu edhe për strukturat hoteliere dhe restorantet.

“Në këto zona, 20 % e hapësirave do t’iu ofrohen njerëzve si plazhe publike”, deklaroi sot ministri Blendi Klosi nga Durrësi, gjatë një takimi që zhvilloi me hotelieret e qytetit bregdetar ku u bë demostrimi i aplikimeve online për stacione private plazhi si dhe shpjegimi i zbatimit të protokollit shëndetësor për mbarëvajtjen e sezonit në kushtet e reja të situatës së pandemisë COVID-19.

Në lidhje me stacionet e plazhit, prioritare do të jenë subjektet që disponojnë një strukturë akomoduese që ndodhet në vijën e parë bregdetare dhe do të marrë hapësirën e plazhit para saj.

Më pas, vijnë subjektet që duhet të disponojnë një strukturë akomoduese në afërsi të vijës bregdetare dhe në fund ato që do të marrin një stacion plazhi janë ato restorante që kanë një kapacitet shërbimi mbi 20 tavolina dhe që kanë hapësirë plazhi para strukturës.

“Për ato zona ku nuk ka hoteliere, si në rastin e bashkisë së Durrësit, te Gjiri i Lalzit apo Hamallaj ku s’ka hotele, kjo e drejtë do t’iu jepet restoranteve apo strukturave që ofrojnë shërbim, por me një numër të caktuar tavolinash dhe që garantojnë pastërti, higjienë, dushe etj”, tha Klosi.

“Për ato subjekte të cilët do të ushtrojnë aktivitet në zonat e ndaluara dhe për ato hotele që do të shtrihen më shumë se sa sipërfaqja që do të marrin në kontratë me bashkinë dhe Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, masat penale do të jenë më të forta”, paralajmëroi Klosi.

Çdo aplikues duhet të plotësojë një formular vetëdeklarimi se merr përsipër një stacion plazhi dhe të respektojë e mbajë përgjegjësi të plotë për plotësimin dhe zbatimin e masave anticovid; Krijimin e kushteve higjienike; Respektimin e hapësirave të vendosjes së çadrave sipas tipologjisë së plazhit; Vendosjen e sinjalistikës në stacionin e plazhit; Sinjalizimin e zonave të përdorimit të mjeteve lundruese për argëtim; Garantimin e sigurisë së jetës me vrojtues plazhi, përgjatë gjithë sezonit të ushtrimit të veprimtarisë së plazhit; Mirëmbajtjen e mjeteve dhe ambienteve të ndihmës së parë mjekësore dhe garantimin e protokolleve të sigurisë gjatë epidemisë Covid-19, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

S.L.